Tri ditë më parë trajneri i Brescias Fabio Grosso përjashtoi nga stërvitja Mario Balotellin, ndërsa as klubi dhe as lojtari nuk preferuan të komentojnë shkaqet e atij veprimi, që solli largimin para kohe të sulmuesit italian nga qendra stërvitore.
Megjithatë në prag të ndeshjes me Romën, në konferencën për shtyp, trajneri Grosso ka sqaruar se çfarë ndodhi në stërvitje, që e detyroi të përjashtojë Balotellin.
“Nuk dua ta fryj çështjen, por as ta lë të kalojë në heshtje. Balotelli nuk kishte intensitet në stërvitje dhe kjo nuk më pëlqen. Unë mund ta ndihmoj Marion deri në një farë pike, por më pas ai duhet të ndihmojë veten e tij. Dua shumë të përdor cilësitë e tij në fushë, por duhet të dinë të gjithë që zgjedhjet bëhen në interes të skuadrës dhe jo individëve të caktuar”, deklaroi Grosso.
Tekniku i “Dallëndysheve” refuzoi të komentojë mbi formacionin me të cilin do të përballojë verdhekuqtë sot dhe nëse do të jetë apo jo Balotelli nga minuta e parë, duke thënë se të parët që do të mësojnë 11-shen titullare, do të jenë vetë lojtarët.
Top Channel