Projekti i një Universiteti në Holandë, hap varre për studentët për të reflektuar mbi jetën dhe vdekjen
Një projekt i quajtur “Momento Mori” (e përkthyer në shqip, “mos harroni se do të vdisni”), është nisma më e re e ndërmarrë nga Universiteti Radboud i qytetit Nijmegen i Holandës. Ky projekt, ofron një zgjidhje të re për ata që luftojnë me sfidat e përditshme të jetës studentore dhe pasigurisë për të ardhmen, në një “varr pastrimi”.
“Varri i pastrimit”, është një vrimë e hapur në tokë në kopshtin prapa kishës studentore. Në brendësi të varrit ndodhet një mbulesë e përshtatshme për joga dhe një jastëk, për ta bërë më të rehatshëm aktin e meditimit.
Studentët që dëshirojnë ta provojnë eksperiencën në “varr”, duhet të rezervojnë nga 30 deri në 3 orë. Duke qenë se projekti po konsiston në diçka të vërtetë dhe larg botës virtuale, telefonat dhe mjetet e tjera teknologjike janë të ndaluara gjatë seancës. John Hacking, i cili është dhe autori i idesë, mendon që ky projekt do ti ndihmojë të rinjtë që të vlerësojnë bukuritë e jetës dhe të përballen me të papriturat që ajo sjell.
Top Channel