Këtë fundjavë, teatri ”Aleksandër Moisiu” i Durrësit rikthen për të tretën herë në skenën e tij komedinë ”Shirli Valentina” të autorit anglez Uilli Rasëll, nën interpretimin e aktores së njohur Olta Daku.

“E mrekullueshme. Kthimi i Shirlit dhe sidomos kthimi i saj në Durrës është gjithnjë festë”, shprehet Olta Daku, aktore.

Plot batuta dhe humor ku nuk mungon ironia therëse, komedia me regji të Driada Dervishit po i reziston gjatë skenave shqiptare që nga qershori i vitit 2017 kur u shfaq premierë në Durrës.

Suksesi i saj përtej humorit qëndron te tema që trajton dhe mesazhi se nuk është vonë kurrë për të jetuar jetën në të gjitha ngjyrat e saj, larg të qenit një grua që i nënshtrohesh ritmeve të zakonshme të një shtëpiakeje.

“Ka një arsye shumë të fortë që Shirli qëndron në repertor prej 30 vitesh duke nisur nga vendi i autorit, Londra. Tek ne Shirli ka 3 vjet që thërret shimë publik, jo vetëm për humorin, finesën e konkretësinë, po dhe për mesazhet e shumta. Kryesor është ai i një ftese për të rigjetur vetveten dhe për të sjellë një ekuilibër në marrëdhëniet në çift, si dhe për të dhënë një mesazh të fortë që femra, gruaja nuk duhet parë më si objekt, si një person që vetëm shërben, në shoqërinë tone”, ka thënë Driada Dervishi, regjisore .

Komedia do të shfaqet këtë të shtunë dhe të dielën në mbrëmje, në orën 19.00 në skenën e teatrit të Durrësit, duke dhuruar humor e reflektimin mbi realitetin e grave dhe nevojën për ta ndryshuar atë.

Top Channel