Bakteriet apo mikroorganizmat kanë krijuar rezistencë ndaj disa antibiotikëve në vendin tonë siç janë penicilina apo të tjera, të cilat e kanë humbur betejën ndaj stafilokokut dhe nuk përdoren më.
“Kemi një sasi të shtuar të rezistencës së stafilokokut ndaj penicilines”, tregon Andi Korraqi, president i Shoqatës Ballkanike të Mikrobiologjisë.
Në javën e ndërgjegjësimit, për të përdorur antibiotikë atëherë aty ku duhet dhe kur duhet, mjekët mikrobiologë sugjerojnë që mikroorganizmat të mos luftohen nga jashtë pasi përveç rezistencës që krijojnë, shkaktojnë dhe dëme të tjera në organizëm.
“Kur përdorim antibiotik ne shkatërrojmë mikroorganizma të tjerë, të cilët janë të domosdoshëm për florën mikrobike të zorrës dhe duke i dëmtuar ato ne krijojmë hapësira të tjera për t’u sëmurur”, thotë Korraqi.
Për shkak të rezistencës që krijojnë, beteja ndërmjet antibiotikëve dhe mikrobeve konsiderohet e humbur pasi për një antibiotik të ri kërkohet një kohë 5 herë më e gjatë se koha që duhet që ato të krijojnë rezistencë.
“Për një antibiotik të ri kërkohen 30 vjet, ndërsa një bakter krijon rezistencë për 4-5 vjet”, thotë Korraqi.
Shoqata Ballkanike e Mikrobiologjisë Klinike është mbledhur në Tiranë ku kanë diskutuar për probleme të mikrobiologjiksë si tek njerëzit, ashtu edhe tek kafshët, pasi një sasi të konsiderueshme të antibiotikëve e marrim nga konsumi i mishit të kafshëve për shkak të keqpërdorimit të tyre edhe në veterinari.
Alma Demiraj
Top Channel