Qeveria holandeze e fiton apelin kundër riatdhesimit të fëmijëve të IS-it

23/11/2019 05:32

Gjykata e Apelit e Holandës e përmbysi një vendim të një gjykate të qarkut që thoshte se qeveria duhet të ndihmojë riatdhesimin e fëmijëve të grave që i janë bashkuar grupit militant Shteti Islamik (IS) në Siri.

Njëzet e tre gra kanë nisur një proces gjyqësor në fillim të këtij muaji, duke kërkuar që Holanda t’i kthejë ato dhe 56 fëmijët e tyre nga kampet e paraburgimit në Siri.

Një gjykatë e qarkut në Hagë vendosi në favor të tyre më 11 nëntor, duke e urdhëruar qeverinë që t’i ndihmojë “në mënyrë aktive” fëmijët, por jo nënat.

Por, Gjykata e Apelit tha se kjo është një çështje politike dhe se me të nuk mund të merret një gjykatës.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, e lavdëroi vendimin e Gjykatës së Apelit, duke thënë se “është e çuditshme që një gjykatë ka ndërhyrë në politikën e jashtme”.

“Ato (gratë) duhet të gjykohen në rajon. Ky është këndvështrimi im. Unë nuk i kam dërguar këta fëmijë në Siri. Kanë qenë prindërit e tyre që kanë ndërmarrë një vendim të tillë qesharak”, tha Rutte.

Turqia ka nisur dëbimin e xhihadistëve të huaj këtë muaj dhe i ka kritikuar vendet perëndimore që refuzojnë t’i riatdhesojnë shtetasit e tyre që kanë luftuar për Shtetin Islamik në Siri dhe Irak./REL

Top Channel