Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz largon presionin nga futbollistët e tij para takimit me Teutën. Ai kërkon thjesht maksimumin nga skuadra në “Loro Boriçi”.
Pa presion: Kemi punuar mjaft mirë gjatë kësaj periudhe pushimi. Të gjitha problemet që kemi pasur, sa iu përket dëmtimeve të disa lojtarëve, janë të tejkaluara. I njoh tashmë skuadrat e Superiores, sepse kemi luajtur me të gjitha. Mund të them se, nga vendi ku ndodhemi ne e deri te kreu, që mbahet nga Partizani, nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Kam folur edhe me lojtarët, duke ua bërë të ditur se nga kjo ndeshje deri në fund të fazës së dytë, më 21 dhjetor, duhet të japin maksimumin nga vetja e tyre. Që nga ndeshja e fundit me Tiranën kemi filluar të bëjmë lojën që unë e kërkoj. Kërkesat taktike që kam pasur për lojtarët do të fillojnë të zbatohen në ndeshje që nesër. Sidoqoftë, kam një porosi për lojtarët e mi: të kënaqen duke luajtur, të mos jenë nën presion!
Mungesa e Hygor, ndihet: Vllaznia i ka kualitetet e duhura që të mposhtë cilindo kundërshtar në kampionat. Na mungon një lojtar shumë i rëndësishëm, si Hygor, por e kemi gjetur zgjidhjen tashmë. Të gjithë lojtarët janë të grumbulluar dhe në secilin rol kemi mundësi zgjedhjeje.
Mesazhi për tifozët: Kam edhe një porosi për tifozët tanë besnikë. Edhe pse kemi qenë të dëmtuar në disa ndeshje nga arbitrimet, i ftoj të jenë të matur në reagime; ta ndihmojnë skuadrën pa bërë dëme. Ta mbështesin Vllazninë, por të mos bëjnë asi veprimesh si në ndonjë ndeshje të kaluar, që pastaj kthehen në ndëshkim për skuadrën tonë (dënimet e Disiplinës). Nesër do të jem edhe unë me tifozët në shkallët e stadiumit, duke përkrahur lojtarët. Mungesa ime në stol nuk do të ndikojë, sepse do të kem vazhdimisht kontakt me ndihmësit.
Mësime nga pikët e lëna: Mendoj se kemi nxjerrë mësime nga pikët e lëna në shtëpi. Që nga nesër do ta largojmë mallkimin nga stadiumi ynë. A na kënaq një pikë? Fitorja nesër është afrim me kreun e renditjes. Presim rezultatet e të tjerëve, synojmë fitoren për vete, pastaj do të shohim si do të jetë situata e klasifikimit. Kjo skuadër mund të bëjë shumë më tepër se sa ka dhënë deri tani. 90-minutëshi i nesërm është shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë.
Top Channel