Racizmi në futbollin e sotëm është kthyer në një fenomen negativ duke imponuar ndryshimin e rregullave dhe masa ndonjëherë drakoniane për tifozeritë më problematike.
Së fundmi Mario Baloteli shpërtheu ndaj mbështetësve të Veronës madje kërcënoi me braktisjen e fushës. Por nëse sulmuesi italian kishte mbështetjen e Federatës, në një tjetër vend anëtar të UEFA-s aplikohet standard i ndryshëm.
Sulmuesi i Shaktjorit të Donjeckut bëri të njëjtën gjë ndaj tifozëve racistë të Dinamos së Kievit, kur koret që imitonin majmunët dhe thirrjet e dënueshme vërshuan kundër tij. 31-vjeçari goditi topin drejt mbështetësve nga Kievi, por u dënua me karton të kuq ndërsa Federata e ka dënuar me një ndeshje.
Ky veprim po cilësohet si një përkrahje ndaj racistëve, në një vend ku ekstremi i djathtë dhe nazistët janë problem serioz. Tifozët e Dinamos u paralajmëruan dy herë gjatë ndeshjes për koret raciste, para se situata të përshkallëzohej me Taison dhe Dentinjon në ndeshjen e zhvilluar në 10 Nëntor. Për Dinamon ndërkohë vetëm një gjobë e papërfillshme dhe paralajmërim nga federata ukrainase.
Top Channel