Para samitit për Ukrainën Lindore që zhvillohet në Paris, ka disa lëvizje politike: Kushtet e Rusisë janë plotësuar, data është caktuar. Por në një pikë qendrore për Moskën po rritet presioni ndaj Kievit.

Rusia i lë kohë vetes. Konfirmimi nga Moska erdhi tre ditë pas caktimit të datës 9 dhjetor si datë e samitit të të ashtuquajturit, Formati i Normandisë në Paris nga tre pjesëmarrësit, Gjermani, Francë dhe Ukraina. “Po, vërtet, përgatitjet janë në fazën përfundimtare”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov të hënën.

Sukses në përgatitjen e samitit të Normandisë

Në të njëjtën kohë Rusia i dorëzoi Ukrainës tre anijet në Detin e Zi, që në nëntor 2018 u ndaluan me dhunë armësh dhe u konfiskuan në Ngushticën e Kertshit para Krimesë së aneksuar nga Rusia. Anëtarët e ekuipazhit u kthyen në shtëpitë e tyre që në shtator në kuadër të këmbimit të të burgosurve mes dy vendeve. Edhe dorëzimi i anijeve shihet si një hap drejt samitit të Normandisë, megjithëse Moska faktikisht zbatoi vetëm një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare Detare.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas udhëtoi të hënën (18.11) në Kiev për të diskutuar për samitin e Parisit, Në Kiev është paralajmëruar edhe një vizitë e presidentit francez, Emmanuel Macron, por pa datë. Të hënën Macron zhvilloi një telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin për samitin e ardhshëm.

Pse është i rëndësishëm samiti i Parisit?

Formati i Normandisë e mori emrin të tillë në qershor 2014, kur presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Petro Poroshenko në kuadër të përkujtimeve të D-Day (6. qershor 1944, fillimi i zbarkimit të forcave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore shën. red.) për herë të parë takoi presidentin rus, Putin pas aneksimit të Krimesë. Ndërmjetësues ishin presidenti francez, Macron dhe kancelarja gjermane, Merkel.

Takimi i fundit i një niveli të tillë të lartë ka qenë zhvilluar para tre vitesh. Arsye ka qenë refuzimi i Moskës për të folur më tej me Poroshenkon. Pasardhësi, Volodymyr Selenskyj ka sinjalizuar ndryshime në marrëdhënien me Rusinë dhe se kërkon paqen në Ukrainën Lindore. Selenskyj bëri të qartë, se do ta takojë shpejt personalisht Putinin, dhe se është i gatshëm për lëshime.

Moska vë kushte, Kievi lëshon pe

Nga takimi i shpejtë nuk është bërë asgjë deri më tani, sepse Rusia vuri dy kushte. E para lidhej me një deklarim me shkrim për atë që Moska e përshkruan si “Formula Steinmeier” e që parashikon zgjidhjen e konfliktit. Me të kihet parasysh zbatimi i ujdive të paqes të arritur në Minsk në vitin 2015; të ofruara si zgjidhje nga ministri i atëhershëm i Jashtëm gjerman, Steinmeier.

Qeveria e Ukrainës fillimisht hezitoi, por në fillim të tetorit veproi – duke shkaktuar një valë protestash në vend. “Formula e Steinmeierit” parashikon, që ligji për autonominë faktike në rajonet separatiste të Donjeckut dhe Luhanskit përkohësisht hyn në fuqi në mbrëmjen pas zgjedhjeve lokale. Nëse vëzhguesit e OSBE do t’i njohin zgjedhjet, atëherë ky ligj hyn në fuqi përfundimisht. Por ende nuk dihet, se kur do të zhvillohen zgjedhjet lokale.

Presidenti ukrainas, Selenskyj kërkon arritjen e paqes në Ukrainën Lindore

Kushti i dytë i Moskës lidhej me tërheqjen e trupave të ushtrisë ukrainase dhe separatistëve nga tre pika të përcaktuara më parë. Kjo tërheqje filloi në qershor në Stanitja-Luhanska por ngeci më vonë, pasi pala ukrainase kërkoi një armëpushim të gjerë, por nuk pati sukses. Në fund Kievi vendosi për tërheqjen e trupave pa armëpushim të plotë, në fund të tetorit në Solote dhe në fillim të nëntorit në Petrivske.

Pse është rritur presioni ndaj Ukrainës?

Megjithëse Ukraina i ka plotësuar kushtet për samitin e Normandisë, ky vend ndodhet gjithnjë e më shumë nën presion. Ligjit të parashikuar nga “formula e Steinmeierit” i përfundon afati në fund të vitit. Presidenti Selenskyj ka premtuar një ligj pasues, por ende nuk e ka ofruar në tryezë atë. Mund të pritet që votimi i tij në parlament të shoqërohet me protesta të tjera.

Takimi mes Selenskyjt dhe presidentit gjerman, Steinmeier,

Për Moskën ky ligj është çelësi për zgjidhjen e të gjithë situatës, thotë zëdhënësi i Putinit, Peskov. Sipas zhvillimeve të fundit duket se për këtë ligj po luftohet. Moska duket se ka kartën e duhur në dorë. Kështu për shembull një këmbim i ri i të burgosurve i njoftuar nga Kievi disa herë, këtë herë mes Kievit dhe separatistëve nuk është kryer akoma.

Para samitit ka pasur spekulime, sipas të cilave në Paris do të flitet edhe për të ardhmen e tranzitit të gazit rus përmes Ukrainës në BE. Marrëveshja aktuale përfundon në fund të vitit, bisedimet për një marrëveshje të re nuk kanë dhënë rezultat, megjithë ndërhyrjen e BE. Rusia kërkon, që Ukraina të tërheqë padinë e saj miliardëshe për Gazpromin para gjykatave ndërkombëtare. Me këtë rritet edhe probabiliteti, që tranziti i gazit përmes Ukrainës në Natën e Vitit të Ri, njësoj si në vitin 2006 e 2009 të ndërpritet ose të bllokohet plotësisht./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA