Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg iu bëri thirrje aleatëve të ruajnë dhe forcojnë “unitetin” e tyre, duke thënë se organizata është “garantuesi i vetëm i sigurisë evropiane dhe transatlantike”.
Stoltenberg, u tha gazetarëve më 19 nëntor se NATO-ja “vetëm sa është bërë më e fuqishme në 70 vitet e fundit”, megjithë “dallimet” midis aleatëve për çështje të tilla si tregtia, ndryshimet klimatike, marrëveshja bërthamore me Iranin, dhe situata në verilindje të Sirisë.
Deklarata ai i bëri në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, të cilët synojnë të përfundojnë përgatitjet për samitin e muajit të ardhshëm në Londër.
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare, në takimin e tyre, do të diskutojnë çështjet strategjike të Aleancës, përfshirë “Rusinë, ndikimin në rritje të Kinës, të ardhmen e kontrollit të armëve dhe sigurinë e energjisë, tha Stoltenberg.
Takimi do të trajtojë gjithashtu rolin e NATO-s në luftën kundër terrorizmit, përfshirë misionet e tij në Afganistan dhe Irak, për të cilat Stoltenberg tha se “vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e ringjalljes” të Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera ekstremiste.
Sekretari i Përgjithshëm tha se përpjekjet e NATO-s për të luftuar kërcënimet për sigurinë kibernetike dhe dezinformimit, do të jenë gjithashtu në agjendë dhe njoftoi se “ekipi i parë i ndihmës” është në Mal të Zi këtë javë.
NATO-ja krijoi ekipe të tilla vitin e kaluar, për të ofruar ndihmë ndaj aleatëve, si përgjigje ndaj propagandës dhe taktikave të tjera jo-ushtarake.
Sekretari i Përgjithshëm tha se ai po planifikon të zhvillojë bisedime me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, javën e ardhshme, pasi presidenti francez deklaroi se NATO po përjeton “vdekjen e trurit” të saj, për shkak të mungesës së parashikueshmërisë së Uashingtonit, nën udhëheqjen e presidentit, Donald Trump.
“Ajo që ne po përjetojmë tani është vdekja e trurit të NATO-s,” i tha Macron revistës The Economist, më 7 nëntor.
Shefi i NATO-s pritet të takojë edhe presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump. Shtëpia e Bardhë tha se dy udhëheqësit do të takohen më 14 nëntor për të diskutuar “përparimin e aleatëve të NATO-s në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe sigurimin e ndarjes më të barabartë të barrës financiare”./REL
Top Channel