Një studim i ri, arrin në përfundimin se gratë politikane po përdorin gjithnjë e më shumë median sociale për të komunikuar drejtpërdrejt me audiencat e tyre, duke kompensuar për mangësitë e pasqyrimit të aktivitetit të tyre në mediat tradicionale.
Por megjithë përfitimet, kjo metodë komunikimi është një thikë me dy presa, pasi ato vihen më shpesh se politikanët meshkuj në shënjestër të sulmeve verbale dhe llogarive të rreme në rrjetet sociale. Kolegia Keida Kostreci njofton.
Dhe senatorja republikane nga Tenesi, Marsha Blackburn, i bëri thirrje publikut në Twitter që të ruajë të dhënat e veta personale.
Ato janë pjesë e një prirjeje mes politikaneve gra që të komunikojnë drejtpërdrejt me votuesit, në mungesën e një qasjeje të balancuar tek mediat tradicionale. Një studim i botuar së fundmi nga Qendra Wilson tregon se gratë politikane, në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, po zgjedhin gjithnjë e më shumë median sociale.
Lucina Di Meco, autore e raportit“#AjoTriumfoi: Gratë, Politika&Pushteti në Botën e Medias të re”, i tha Zërit të Amerikës, se ato po përdorin median sociale për të përforcuar imazhin dhe mesazhin e tyre.
“Kandidatet femra janë në gjendje ta përdorin median sociale maksimalisht për t’u lidhur me votuesit, duke shfaqur autenticitetin e tyre, që të shkojnë përtej imazhit politik që kishim parë në të kaluarëm, duke u përpjekur të shfaqin më shumë nga vetja”, thotë ajo.
Mbështetur në 88 intervista me gra politikane nga 33 vende, studimi i zonjës Di Meco, tregon se pavarësisht nga mjedisi toksik, kandidatet femra shpesh kanë qenë në gjendje të përdorin rrjetet sociale Twitter dhe Facebook, për të nxitur ambiciet e tyre politike.
Crystal Patterson, Menaxhere e Partneritetit për Marrëdhëniet Globale me Publikun tek rrjeti social Facebook, thotë se kjo është e vetmja mënyrë për të mos u varur te dikush tjetër për të hartuar mesazhin.
“Nuk ke nevojë të pyesësh një gazetar të ndryshojë një citim apo televizioneve të ndryshojnë një kronikë. Mund ta bësh videon si të duash, ta krijosh mesazhin si të duash dhe shpesh është mënyra më e mirë për të nxjerrë informacionin e vërtetë për vete dhe për të hedhur poshtë informacionin negative”, thotë ajo.
Christine Matthews, një konsulente për opinionin publik, i tha Zërit të Amerikës se suksesi varet gjithashtu nga personi.
“Një kandidate që mund ta përdorë më efektivisht dhe në mënyrë më autentike median sociale, do të ketë një mesazh më të fuqishëm dhe më të mirë. Nëse e përdor në mënyrë shumë të kujdesshme, ke më shumë vështirësi”, tha Presidentja e firmës “Bellwether Research and Consulting”.
Anëtarja e Kongresit, Alexandra Ocasio-Cortez, nga Nju Jorku, e pasqyron këtë. Ajo përgatiti marrjen në pyetje për Shefin Ekzekutiv të Facebook-ut Mark Zuckerberg duke i kërkuar audiencës së saj në Twitter t’i dërgonte pyetje.
Rep. Alexandria Ocasio-Cortez, D-N.Y., top center, questions Facebook CEO Mark Zuckerberg, foreground, as he appears before a House Financial Services Committee hearing on Capitol Hill in Washington, Oct. 23, 2019.
Por për politikanet femra, përdorimi i medias sociale është një thikë me dy presa.
“Komentet që vënë në shënjestër gratë në Twitter janë ndryshe nga ato për burrat. Ato përqendroheshin më shumë tek personaliteti dhe karakteri sesa tek politikat. Edhe më interesant është fakti që kandidatet femra, kanë gjasa të bëhen më shpesh objekt i sulmeve të llogarive të rreme të rrjeteve sociale”, thotë zonja Di Meco.
Zonja Matthews thotë se të gjithë kandidatët — dhe veçanërisht gratë— duhet të kenë një plan për t’iu përgjigjur negativitetit në internet, para se të fillojnë fushatën.
“Politikanet gra në veçanti duhet të kenë një strategji për të reaguar ndaj trollëve apo kritikave negative, apo sulmeve në këto platforma dhe të kenë personel që të mund ta bëjnë një gjë të tillë”.
Facebook dhe Twitter dhe organizata të tjera jofitimprurëse po ofrojnë trajnime për gratë politikane, që të mund të zgjerojnë ndikimin e tyre dhe të mbrojnë veten nga sulmet dhe llogaritë e rreme sociale.
Grave kandidate u është thënë shpesh që të mos reagojnë me të njëjtën monedhë, por zonja Di Meco thotë se në fakt një studim tregon se popullariteti i tyre rritet, kur e bëjnë një gjë të tillë.
“Përgjigjia më e mirë në fakt është që të reagosh hapur dhe të thuash se sulme të tilla janë të papranueshme. Kur një politikane e bën një gjë të tillë, besueshmëria e saj rritet dhe ajo bëhet më e pëlqyeshme”, thotë ajo.
Por megjithë mjedisin toksik për kandidatet, raporti i Di Mecos lë të kuptohet se zgjidhja nuk është tërheqja, por përcjellja e mesazhit se gratë kanë vendin e tyre, si në politikë ashtu edhe në platformat që zgjedhin për të komunikuar me votuesit./VOA
Top Channel