Zijajdin Metbala mori shumë prodhim nga vreshtat e tij në Rahovec zona më e madhe e kultivimit të rrushit në Kosovë. Nga dy hektarë thotë se ka vjelë 35 mijë kilogramë rrush.
Por vreshtari nga Kosova thotë se nuk po e shet dot prodhimin e tij me një çmim prej 23 cent për kilogram që e kërkojnë kompanitë e verës. Kjo shumë nuk ia mbulon shpenzimet ndaj i është drejtuar tregut në Shqipëri dhe Mal të Zi.
“Vetëm një matematikë e thjeshtë me e bë 23 cent, për 23 cent duhet 10 mijë kilogramë rrush duhet me dorëzu për me i mbulu shpenzimet e 1 hektari vresht. Do të thotë ç’ka na mbetet neve as 5 mijë kilogram nuk na mbetet fitim. Vërtetë çmimi është tepër i ulët, në vend se me e rrit çmimin e rrushit, ata e kanë zbritur çmimin e rrushit, gjë që na kanë dëmtuar shumë. Prandaj, na është dashur me u ballafaquar, ta gjejmë alternativa të tjera dhe me i dorëzuar jo në Mal të Zi, jo Shqipëri diku tjetër”- tha Zijadin Metbala, vreshtar.
Vreshtari me profesion fizikant kultivon dy varietete rrushi, për tryezë dhe verë.
“I kam trajtuar shpesh me preparate kimike të llojeve të ndryshme dhe të cilat më kanë kushtuar goxha shtrenjtë për arsye se ka pasur reshje të shumta, lagështi e madhe ka qenë e ajrit dhe tokës. Çmimet e preparateve varijojnë prej 15 euro deri në 20 euro për një kilogram”- vijoi Metbala.
Këtë vit i ka bërë ballë siç tregon edhe vetë vreshtari dëmeve nga zogjtë.
“Kemi pasur problem jo me vjeljen e rrushit, por me ruajtjen e rrushit për arsye se këtu në këtë regjion ku e kam vreshtin unë është edhe strofulla e zogjve, të cilët na kanë bërë shumë dëme dhe nuk kemi pasur mundësi as si të mbrohemi nga ky lloj sulmi që na e kanë bërë ata. Ka pasur raste që brenda një kohe shumë të shkurtër e kanë fshi krejt rrushin e kanë ngrënë”- u shpreh vreshtari.
Sipas fermerit subevncionet nuk mungojnë për vreshta por duhet të rregullohet çmimi i tregtimit të rrushit me shumicë.
Top Channel