Udhëtimi me avion duket do të ndryshojë: me identifikimin e fytyrës dhe inteligjencës artificiale, lëngjet në valixhe do të rikthehen, thotë shtypi italian.
Teknologjia në shërbim të sigurisë në aeroportet e vendit fqinj, sipas mediave atje do të ndihmojë që kontrollet të përshpejtohen e biometria dhe inteligjenca artificiale do të bëjnë që fluturimet të jenë më të sigurta.
“Edhe në Itali do të mbërrijë identifikimi i fytyrës dhe pajisje të reja të sofistikuara për verifikimin e bagazheve të dorës. Lamtumirë dokumente, ndërsa kthehen lëngjet dhe kompjuterat në valixhe”, shkruan TgCom24.
Situata do të eksperimentohet fillimisht në Fiumicino në fund të nëntorit, duke nisur nga terminali 1 me fluturimet që kanë për destinacion aeroportin e Schipholit në Amsterdam. Raportet tregojnë se në Fiumicino do të vendosen pastaj ndërmjet shkurtit dhe marsit disa pajisje kontrolli për bagazhin e dorës të cilat janë në gjendje të identifikojnë sasi shumë të vogla eksplozivi.
Bëhet fjalë për 26 makineri të llojit Standard 3, që kushtojnë secila një milionë euro. Kjo do të bëjë të mundur lejimin e lëngjeve, madje edhe mbi 100 ml në një valixhe, smartphone-ve, kompjuterave e tabletëve.
Në Europë disa kompani po eksperimentojnë prej muajsh me këtë risi: në Helsinki, janë ata të Finnair që po testojnë njohjen e fytyrës, e hapa të ngjashëm janë hedhur edhe në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit.
Top Channel