Duka i Yorkut ka mohuar “kategorikisht” të ketë pasur ndonjë kontakt seksual me një grua amerikane, e cila thotë se e kishin detyruar të kryente marrëdhënie me të kur ishte vetëm 17 vjeç.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi lidhjet e tij me miliarderin pedofil Jeffrey Epstein në një intervistë për BBC, Princi Andrew tha se incidentet e supozuara “nuk kanë ndodhur kurrë”.
Virginia Giuffre, njëra prej akuzuesve të Epsteinit, këmbëngul se e kanë detyruar tre herë të kryente marrëdhënie intime me princin. Por ai përgjigjet se në njërin nga rastet, ishte në shtëpi, me fëmijët e tij pas një feste me pica.
Ai e pranoi se ka fluturuar vërtet me avionin famëkeq të Epsteinit, që mbante nofkën“ Lolita Express“ dhe tha se ka qëndruar në ishullin privat të miliarderit, në shtëpinë e tij në Palm Beach, si dhe në rezidencën e financierit në New York. Por i refuzon kategorikisht akuzat për intimitet me një të mitur.
“Nuk ka ndodhur. Unë absolutisht mund t`ju them në mënyrë kategorike se nuk ka ndodhur kurrë. Nuk kujtoj të kem pasur ndonjë takim me këtë zonjë, asnjë që të më vijë ndërmend”- tha Princi Andrew.
Andrew, që është fëmija i tretë i mbretëreshës shtoi madje se rrëfimi i Giuffre që tregonte sesi ai ishte mbuluar nga djersët kur kërcyen në një klub nate mbrëmjen e 2001-shit, koha që patën sipas saj edhe kontaktin e parë intim. Nuk është aspak e vërtetë e kjo për faktin e thjeshtë se ai ka një problem shëndetësor që e pengon të djersijë.
Top Channel