Mësimi në gjuhën shqipe në diasporë, mbetet sfidë dhe një nga shqetësimet kryesore të kosovarëve që jetojnë jashtë vendit.

Për Konsullën e Përgjithshme të Kosovës në Frankfurt të Gjermanisë, Fatmire Musliu, është obligim i Kosovës të sigurojë pagesat për mësuesit e orëve plotësuese në gjuhën shqipe, pavarësisht se sipas saj nuk ka edhe shumë interesim nga prindërit që të dërgojnë fëmijët e tyre të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe.

“Unë mendoj që duhet shteti ynë, Kosova, të merr përsipër pagesën e mësuesve në diasporë, në bazë të orëve që ata i mbajnë. Ata nuk mbajnë mësim të rregullt sikur mësuesit e gjuhës gjermane që e kanë orarin e orëve më të madh, këta mbajnë më pak dhe në bazë të atyre orëve të paktën një pagesë modeste të bëhet që ta ua lehtësojnë mbajtjen e mësimit”, shprehet Musliu.

Ajo thotë që nuk kanë statistika se cili është numri i fëmijëve shqiptar nëpër shkollat e Frankfurtit, meqë jo të gjithë ata që regjistrohen në shkollë e deklarojnë gjuhën e tyre amtare. Musliu u bën thirrje prindërve që të kujdesen për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e tyre, pasi nëse në një shkollë do të jenë 10 fëmijë shqiptarë, atëherë një mësues mund të gjendet.

“Prindërit ta marrim me më seriozitet përgatitjen e fëmijëve të tyre dhe t’i dërgojnë fëmijët në ato shkolla që janë në funksion dhe aty ku ka mbi 10 fëmijë ne mund të hapim një paralele, të na kontaktojnë dhe t’i pajisim, qoftë në bisedë me gjermanët mund të ndihmojmë, të asistojmë, por edhe t’i pajisim me mjete shkollore të cilat Republika e Kosovës i ofron falas, ta gjejmë një mësues dhe të hapim paralelen”, shton Musliu.

Pjesa më e madhe e diasporës së Kosovës është vendosur në Gjermani, Zvicër, Francë dhe Itali. Megjithatë, deri më tani as këto shtete e as Qeveria e Kosovës nuk e ka financuar mësim plotësues në gjuhën shqipe

Top Channel