Për herë të dytë brenda këtij viti, Prokurori Kombëtar i Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizmit në Itali, Federico Cafiero De Raho, ka ardhur në Shqipëri për t’i ofruar Ministrisë së Drejtësisë mbështetjen e institucionit që drejton.
Në konferencën “Administrimi, menaxhimi dhe përdorimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara: Praktika të mira dhe aspekte të bashkëpunimit ndërkombëtar”, De Raho u shpreh se është forcuar më tej kooperimi midis Shqipërisë dhe Italisë i cili sipas tij nuk konsiston vetëm në ekstradimin e subjekteve, por tashmë është një bashkëpunim aktiv në investigime midis dy palëve.
“Shqipëria është treguar e gatshme dhe efektive në arrestimin e subjekteve të cilët kërkohen nga shteti italian, gatishmëri të cilën e ka treguar gjithashtu dhe Italia. Falënderoj ministren Gjonaj për angazhimin e saj në implementin e një instrumenti të ri për luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimin e pasurive të konfiskuara të prodhuara nga aktiviteti kriminal. E mbështes dhe ndjej afërsi me Ministren e Drejtësisë si pasojë e angazhimit të saj pikërisht në luftën kundër këtij fenomeni, korrupsionit në instanca të larta”, u shpreh De Raho duke shtuar se:
“Tashmë krimi i organizuar e shtron ndikimin e tij përtej kufijve të vendit të origjinës. Dhe për këtë fakt ka qenë i nevojshëm kooperimi midis Shqipërisë dhe Italisë me fokus në luftën kundër kriminalitetit shqiptar. Ky aktivitet prodhon pasuri me vlera të mëdha, pasuri e cila inkriminon dhe vetë funksionarët e lartë shtetërorë dhe publik”, tha ai.
De Raho u shpreh se grupet e strukturuara kriminale janë në evolvim të vazhdueshëm, duke gjetur forma të reja për prodhimin e parave dhe lëndëve narkotike, veprimtari të cila në mënyrë direkte dhe indirekte ndotin ekonominë.
Më tej ai vijoi duke thënë se “Falënderoj edhe njëherë personat të cilat kanë qenë bashkëpunues në implementimin e sistemit të menaxhimit të pasurive të konfiskuara, sidomos për Ministren e Drejtësisë për mbështetjen dhe angazhimin e saj për implementimin e kësaj nisme dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Top Channel