Nevoja për ndërtimin e një stadiumi kombëtar dinjitoz ka qenë e hershme. Por buxheti i varfër i Shqipërisë e mbante projektin thjesht një ëndërr të pamundur për tu realizuar. Deri tre vjet më parë.

Në vitin 2015, qeveria vendosi që Arena Kombëtare të ndërtohet me koncesion nga fondet e privatit.

Fituese e koncesionit u shpall kompania “Albstar” dhe punimet për ndërtimin e Arenës Kombëtare nisën menjëherë në qershor të vitit 2016 me shembjen e stadiumit të vjetër “Qemal Stafa”.

I projektuar nga grupi italian Serenissima Costruzioni, Arena Kombëtare parashikohej se do të kushtonte 50 milionë euro. Por ky ishte vlerësimi fillestar, ndërsa kostoja faktike e veprës do të rezultonte 50 për qind më e lartë.

Sipas të dhënave zyrtare nga federata Shqiptare e Futbollit, stadiumi i ri ka kushtuar plot 75 milionë euro, nga të cilat 65 milionë janë paguar nga vetë kompania “Albstar”, ndërsa 10 milionë euro të tjera nga Federata. Në këmbim kompania private ka përfituar 20 mijë katrorë mjedise tregtare në trupin e stadiumit dhe një kullë 24 katëshe, ndërsa federata përfiton stadiumin dhe 4 mijë metra katrorë zyra.

Arena Kombëtare tashmë është një realitet në zemër të Tiranës. I stolisur kuq e zi, këtë të diel Arena Kombëtare, tashmë i pagëzuar me emrin “Air Albania Stadium” do të inaugurohet me një ndeshje dinjitoze të denjë për këtë festë. Të dielën Kombëtarja shqiptare do të përballet me kampionët e botës, Francën e yjeve të mëdha. Këtë herë në një arenë dinjitoze të veshur me ngjyrat e flamurit.

Top Channel