Moti i keq në dy brigjet e detit Adriatik ka krijuar probleme dhe në grafikun e lëvizjes së trageteve mes Italisë dhe Shqipërisë.

Mbrëmjen e kaluar asnjë nga tragetet e linjës nuk është nisur nga porti i Durrësit, ndërsa mëngjesin e sotëm është nisur drejt Barit një nga tragetet.

Situata e rënduar metereologjike dhe në brigjet italiane ka shkaktuar probleme dhe në nisjen e trageteve nga Bari drejt Durrësit. Forca në rritje e erës ka çuar në ndërprerjen e përkohshme të veprimtarisë përpunuese të anijeve tregtare . Aktualisht në port ndodhen 4 anije, 3 prej të cilave në proces shkarkimi dhe një tjetër që po ngarkon çimento për eksport.

Anijet qëndrojnë në pritje të përmirësimit të motit për të vijuar përpunimin, ndërsa Autoriteti Portual Durrës dhe Kapiteneria njoftojnë se nuk është regjistruar asnjë incident deri në këto momente.

Në qytet dhe periferitë e tij, reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar sërish përmbytje gjatë natës së kaluar si dhe këputjen e një palme në shëtitoren bregdetare të qytetit.

Punonjësit e ndërmarrjeve në varësi të bashkisë kanë ndërhyrë në zonat më problematike për të lehtësuar tërheqjen e ujërave dhe larguar palmën e mbetjet e sjella nga vërshimi i ujërave dhe era në rrugë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA