Nga viti 2010 mjekët shqiptarë po largohen nga vendi me destinacion kryesisht Gjermaninë.
Në regjistrin e Urdhërit të Mjekëve të Shqipërisë janë 6000 mjekë të regjistruar, të cilët nuk ç’regjistrohen, megjithëse ata mund të punojnë jashtë vendit, pasi mund të kthehen përsëri, pohon kreu i Urdhrit Fatmir Brahimaj. Te Urdhri i Mjekut mjekët që largohen kërkojnë “Certifikatën e Sjelljes së Mirë”, një dokument i domosdoshëm që e paraqesin jashtë.
“Në tre vitet e fundit rreth 500 mjekë e kanë kërkuar “Certifikatën e Sjelljes së Mirë”. Ndërsa në 6 muaj e parë të 2019, rreth 88 mjekë. Është një tendencë jo vetëm në vendin tonë. Mjekët thonë specialistët, duan të bëjnë mjekësi të mirë, dhe për këtë kërkohen kushte”, shprehet Fatmir Brahimaj, President i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë.
Ky është një fenomen shqetësues duke patur parasysh që një mjeku i duhet shumë kohë për t’u kualifikuar dhe aftësuar. Mjekët e lënë vendin, pasi mendojnë se do të gjejnë kushte më të mira, do të jenë më të paguar, më të mbrojtur dhe më të vlerësuar si dhe do të kenë më shumë mundësi për t’u rritur në karrierë.
“Universiteti i Mjekësisë diplomon rreth 250 mjekë të rinj ccdo vit. Vjet rreth 50 mjekë të huaj erdhën dhe u liccensuan tek ne. Ka edhe mjekë shqiptarë që mbarojnë në vende të huaja studimet dhe kthehen. Të gjithë këta shkojnë rreth 300 mjekë në vit. Nga bashkësia e mjekëve rreth 150 mjekë kërkojnë Certifikatë të Sjelljes së Mirë çdo vit”, deklaron Brahimaj.
Pak ditë më parë kirurgia Marsela Ceno, që drejton Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë në Republikën Federale të Gjermanisë bëri këtë pohim.
“Duke ju referuar shifrave zyrtare të Dhomës Federale të Mjekëve në Gjermani, deri në dhjetor të 2018 janë regjistruar rreth 680 mjekë shqiptarë, ndërsa numri i atyre që po përpiqen të plotësojnë procedurat është gjithashtu i madh dhe llogarisim që janë gjithsej rreth 800 mjekë shqiptarë që janë në Gjermani. Theksoj që janë mjekë shqiptarë të Shqipërisë”, tregon Marsela Ceno, Kirurge, Gjermani.
Top Channel