Macron sërish kritik, del kundër NATO-s dhe OKB-së

13/11/2019 05:59

Emmanuel Macron, ka sulmuar ashpër verbërinë e atyre që preferojnë të mbyllin sytë para inefikasitetit të institucioneve të sotme globale që duhet të përballen me problemet e botës.

Presidenti francez foli ndërsa priti liderët e botës në forumin e dytë të përvitshëm të paqes, në Paris, që ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai ka ndezur një seri reagimesh javën e shkuar, kur tha se NATO –s po i vdes truri, veçanërisht për mungesën e reagimit të saj ndaj tërheqjes amerikane nga Siria e veriut dhe ofensivën turke që pasoi.

“Rreziku me të cilin ne përballemi kolektivisht është tendenca që rishfaqet vazhdimisht në vendet tona, letargjia. Rreziku i parë është t’i themi vetes se ne kemi organizata, ne na pëlqejnë ato, nuk i vëmë në diskutim, por ndonjëherë ato humbasin qëllimin, askush nuk e di se ku po shkojnë”-tha Macron.

Në ceremoninë e hapjes së forumit të paqes në Paris, Macron tha se nuk duhet të ketë hipokrizi kur bëhet fjalë për funksionimin e organeve shumëkombëshe si Kombet e Bashkuara, që sipas tij, janë të bllokuara.

“Unë mendoj se ne kemi nevojë për të vërtetën. Hipokrizia nuk funksionon më këto kohë. Përse? Sepse qytetarët tanë e shohin këtë! Kur nuk funksionon më siç duhet, ata na e thonë. Ndaj hipokrizia dhe heshtja nuk është një zgjidhje. Dhe letargjia, nuk është një zgjidhje”-vijoi Macron.

27 shefa shtetesh, por edhe liderë biznesi dhe OJQ, janë ftuar në forumin dy ditor në Paris. Mes tyre edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së dhe presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA