Sheqerja, Eftalia, Merzoja, Bukuria dhe gra të tjera të Shtëpisë së të Moshuarve në Gjirokastër shpenzojnë një pjesë të ditës së tyre në aktivitet.
Ato po thurin çorape dhe triko për ata që kanë nevojë. Të gjitha kanë histori personale të vështira, trauma dhe fatkeqësi familjare dhe të gjitha ofrohen me mundësitë që kanë të ndihmojnë njerëz të tjerë, të panjohur që mund të kenë nevojë. Sheqerja që ka përballuar fatkeqësinë e humbjes së tre fëmijëve thotë se nuk e di kush do ti veshë çorapet që po thur por kushdo qoftë do ta kujtojë për mirë.
Eftalia 86 vjeç thotë ka mësuar nga nëna e saj një kombinim të bukur 2-ngjyrësh për çorape dhe ka dhuruar me dhjetëra palë tek njerëz e vizitojnë.
Merzo Katapuqi nga Rrezoma erdhi në shtëpinë e të moshuarve pak vite më parë për të mos qëndruar vetëm në shtëpi pasi fëmijët janë larguar në SHBA.
Bukuria thotë se nuk u martua kurrë dhe ju desh të vinte në azil ku bashkë me gratë e tjera po e ndjen veten të vlefshme. Ajo thotë se merr kënaqësi kur dhuron diçka që krijon vetë.
Arminda Nelaj punonjese sociale pranë shtëpisë së të moshuarve thotë se të moshuarit po përpiqen të kontribuojnë në aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë qendrës.
Në Shtëpinë e të Moshuarve në Gjirokastër jetojnë aktualisht 58 të moshuar ngai gjithë Jugu prej të cilëve 22 gra.
Kristina Fidhi
Top Channel