Kampuset janë kthyer në sheshin e fundit të betejës në Hong Kong pas muaj të tëra protestash që e kanë paralizuar jetën në këtë territor.

Policia po kryen bastisje e arrestime, një pjesë e transportit publik është pezulluar, ndërsa në shkolla e universitete, sot nuk ka mësim. Forca speciale janë dërguar në qendrën e qytetit dhe në zonat më të prirura për dhunë. Studentët e Chinese University po përgatiten për përleshje të reja me forcat e rendit; shumë prej tyre kanë marrë me vete shishe me benzinë, por ka raporte se grupe të rinjsh janë armatosur edhe më harqe e shigjeta, të cilat i kanë marrë pasi sulmuan një prej qendrave sportive të kampusit. Protestuesit kanë bllokuar kryqëzimet kryesore me tulla dhe objekte të tjera. Edhe pse policia arriti ta pastronte një pjesë të barrikadave, ata I kanë zëvendësuar menjëherë sapo efektivët u larguan.

Trazirat u përhapën që të martën nëpër kampuset e kolegjeve të Hong Kongut. Policia përdori gazin lotësjellës ndaj protestuesve në dy universitete. Tensionet në territor janë përshkallëzuar sidomos pas ngjarjes së ditës së hënë, kur një polic qëlloi me armë zjarri një protestues 21-vjeçar ndërsa po përpiqej të arrestonte një tjetër. Autoritetet e spitalit të qytetit thanë se I riu I plagosur është në gjendje kritike.

Irida Vasia

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA