Dëshira e fundit e emigrantes para vdekjes: M’i çoni fëmijët në Europë!

13/11/2019 16:53

Për të gjashtin vit me radhë, më shumë se 1.000 vetë kanë humbur jetën duke tentuar të përshkonin detin Mesdhe.

Mesdheu mbetet rruga më vdekjeprurëse e emigracionit në mbarë botën, dhe sivjet, njerëzit aty kanë katër herë më shumë gjasa të vdesin se një vit më parë, sepse ka më pak anije shpëtimi rreth e rrotull. Pjesa dërrmuese e emigrantëve të dëshpëruar nisen nga Libia, ku BBC foli me një familje nga Kameruni, e cila është e vendosur t`i shkojë këtij rrugëtimi deri në fund, pavarësisht rrezikut të madh që ai bart. Ata kanë vuajtur shumë dhe kanë ngecur në Libi në pritje të mundësisë për të lëvizur më tej. Dy fëmijë të vegjël, Khadija dhe i vëllai Renault, tani janë në kujdesin e tezes dhe një kushëriri të rritur. E ëma, Delphine, bëri gjithë çfarë ishte e mundur në përpjekje për t`i çuar në Europë. Pas dy ditësh të kaluara në një varke trafikantësh, ata u kapën e u dërguan në një qendër ndalimi, ku Delphine vdiq në agoni.

“Qëndruam për dy ditë në ujë, nën një diell përvëlues. Ajo u ndie keq, por në qendër nuk kishin trajtimin e duhur. Delphine nisi të qante pafund, sepse e kuptoi që po shkonte drejt vdekjes e po linte në rrugë dy fëmijë të vegjël”,

Dëshira e vetme e gruas ishte që fëmijët të mbërrinin në Europën e shumë dëshiruar. Ëndrra e saj ishte që Renault, 11 vjec, të bëhej futbollist në Europë. Të afërmit thonë se do të përpiqen me çdo mënyrë t`i përmbushin këtë dëshirë të fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA