Partia Demokratike do të depozitojë kallëzim penal për shpërdorm detyre dhe dhunim të banorëve ndaj drejtuesve dhe punonjësve të Policisë dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Vendimi është bërë i ditur nga Edi Paloka, nënkryetar i PD-së.

Në deklaratën nga selia blu, Paloka theksoi se ndaj banorëve të Unazës së Re në Tiranë u ushtrua dhunë për të fshehur vjedhjen e 40 milionë eurovë në projektin e zgjerimit të rrugës.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj se “po shkatërrojnë banesat e qytetarëve për t’i hapur rrugë ndërtimit të Kullave në atë zonë”.

“Prokuroria nuk e heton aferën e Unazës së Madhe sepse hetimi i pavarur çon në burg Edi Ramën”, tha ndër të tjera Paloka.

Deklarata e plotë

Dje regjimi i Edi Ramës dhunoi në mënyrë barbare banorët e Unazës së Re. Fëmijë, gra dhe të moshuar, u bënë viktima të dhunës, me arsyen e vetme se mbronin shtëpitë e tyre, nga projekti korruptiv 40 milion euro i Edi Ramës.

Banorët e Unazës janë viktima të korrupsionit të Edi Ramës. Nuk bëhet fjalë as për projekt zhvillimi dhe as për ndërtimin e një rruge të re.

Shqiptarët duhet të mësojnë se banorët e Unazës së Re po dhunohen për shkak të babëzisë së Edi Ramës për të vjedhur 40 milion euro nga ndërtimi i rrugës, dhe jo se po pengojnë ndonjë projekt në dobi të qytetit.

Shqiptarët duhet të mësojnë se banorët e Unazës së Re po u shkatërrohet i gjithë mundi dhe djersa e tyre, për shkak të lejeve të ndërtimit që ka dhënë Edi Rama dhe Erjon Veliaj në atë zonë. Që pallatet e ndërtuara me paratë e drogës dhe korrupsionit të kenë vlerë të lart, duhet të dalin në vijë të parë. Kjo është arsyeja e vërtetë e shembjes së qindra shtëpive e bizneseve në atë zonë, pa asnjë kundërshpërblim.

Të gjithë e mbajnë mend sesi falë betejës së këtyre banorëve u zbulua një aferë e padëgjuar kurrë në Shqipëri. Një firmë fantazëm arriti me ndihmën e Edi Ramës të fitonte një tender, duke falsifikuar firmën dhe dokumentat e autoriteteve amerikane.

Asnjë i arrestuar për këtë aferë korruptive. Asnjë i arrestuar për këtë falsifikim.

Prokuroria e kontrolluar nga Edi Rama, që burgos banorët që mbrojnë të drejtat e tyre, ka 1 vit që mban pa hetuar dosjen e korrupsionit gjigand me projektin e Unazës së Re.

Pse nuk hetohet kjo dosje? Pse nuk është askush në burg për këtë aferë korruptive?

Përgjigjia është e njohur: Hetimi i plotë dhe i pavarur i kësaj afere, çon në burg Edi Ramën, njeriun përgjegjës për këtë aferë.

Prandaj ai urdhëron dhunimin e banorëve. Prandaj ai përdor Policinë kundër grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Prandaj përdor median për të bërë propagandë se banorët po pengojnë zhvillimin e qytetit.

Banorët janë në mbrojtje të të drejtës së tyre! E drejta e pronës është themeli i një shoqërie demokratike. Kushdo prej tyre ka të drejtën të kompensohet për shtëpinë apo biznesin e tij. Këto thotë Kushtetuta. Këtë thotë Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Është e qartë se në shtetin privat që ka ndërtuar Edi Rama, ligji dhe Kushtetuta nuk kanë asnjë vlerë, sa kohë pengojnë hajdutërinë dhe korrupsionin e kësaj Qeverie.

Partia Demokratike e ka bërë të qartë dhe e ripërsërit: Çdo centimetër katror i pronës së banorëve të Astirit do të kompensohet me vlerën e tregut. Asnjë qindarkë nuk do të humbasë. Ky ka qenë zotimi ynë me shkrim. Ky do të jetë veprimi ynë i parë në qeverisje.

Çdo punonjës policie, që i urdhëruar nga Edi Rama, Erjon Veliaj dhe Sandër Lleshi, për të sulmuar në mënyrë kriminale banorët dhe për t’u rreshtuar në anën e krimit, duhet ta ketë të qartë: Do të trajtohet si kriminel shumë shpejtë. Dita e përballjes me ligjin nuk është e largët.

Partia Demokratike do të depozitojë kallëzim penal për shpërdorim detyre dhe ushtrim dhune, ndaj cdo drejtuesi dhe punonjësi policie që ka qenë dje në shërbim të krimit dhe jo në shërbim të ligjit.

Edi Rama dhe veglat e tij në prokurori mund të vonojnë vënien e drejtësisë në vend, por nuk do t’ia dalin ta pengojnë dot.

Korrupsioni me këtë projekt do të ndëshkohet.

Dhuna ndaj banorëve do të ndëshkohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA