Vijon normalisht puna për prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë aksit nga rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”deri te ura në lumin Lana për ti hapur rrugë projektit për Unazën e Madhe, që do të çlirojë Tiranën nga trafiku.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe ndërmarrjet bashkiake po punojnë me mjetet e rënda për të prishur të gjitha ato ndërtime që janë shpronësuar ose që kanë qenë pa leje në këtë aks.
Siç shihet edhe nga pamjet bëhet fjalë për disa objekte masive 2 dhe 3 katëshe, të cilat ishin ndërtuar pa leje. Po ashtu pasi është shpronësuar është prishur edhe një nga karburantet që funksiononte në këtë zonë.
Sipas IKMT –së janë 33 objekte që do të prishen, prej të cilave 21 janë shpronësuar, ndërsa të tjerat janë skualifikuar nga procesi i legalizimit. Objektet variojnë nga një deri në katër kate.
Për të gjitha familjet që kanë ndërtuar pa leje dhe nuk përfitojnë dot nga procesi i kompensimit për shkak se nuk kanë arritur ta legalizojnë atë, Bashkia e Tiranës ka ofruar disa mundësi për strehimin e tyre nëpërmjet projekteve të saja sociale.
Top Channel