Presidenti i SHBA Donald Trump përsëriti të hënën sulmet kundër hetimit në Dhomën e Përfaqësuesve që synon shkarkimin e tij.
Sulmet vijnë dy ditë përpara seancave dëgjimore publike që e kanë vënë atë në shënjestër nën aludimet se ka abuzuar me detyrën për të favorizuar veten politikisht.
Presidenti Trump tha në Twitter, pa ofruar ndonjë provë, se anëtari i Dhomës, Adam Schiff, që drejton hetimin ka “ndryshuar” tekstet e dëshmive të tetë zyrtarëve, të cilët kanë dëshmuar javët e fundit pas dyerve të mbyllura në selinë e Kongresit.
Sipas teksteve tashmë të publikuara, zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm diplomatikë dhe të sigurisë kombëtare kanë shpjeguar me hollësi sesi zoti Trump dhe ndihmësit e tij i kanë bërë presion Ukrainës për të filluar hetimet ndaj njërit prej rivalëve kryesorë të tij për zgjedhjet e vitit 2020, ish-nënpresidentit Joe Biden, ndaj punës së djalit të tij Hunter Biden për një kompani ukrainase gazi si dhe ndaj një teorie të debatueshme, sipas së cilës Ukraina është përzierë në zgjedhjet e 2016s e jo Rusia, siç konkludoi komuniteti i inteligjencës amerikane.
“Republikanët duhet të nxjerrin edhe ata dëshmitë e tyre!” tha Presidenti Trump në Twitter.
KËTË JAVË NISIN SEANCAT PUBLIKE
Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin fillon këtë javë seancat me dyer të hapura në kuadër të hetimeve lidhur me kontaktet e Presidentit Trump me udhëheqësin ukrainas.
Demokratët thonë se presidenti abuzoi autoritetin që i jep posti duke pezulluar ndihmat ushtarake për Ukrainën, për të ushtruar presion mbi këtë vend që të hapeshin hetime mbi rivalin e tij politik. Republikanët këmbëngulin se presidenti nuk bëri asgjë të parregullt që justifikon këtë proces.
Hetimet që mund të çojnë në procesin për shkarkimin e presidentit do të vazhdojnë tani me seanca publike me dëshmi. E para seancë zhvillohet të mërkurën:
“Nuk dua t’ia di nëse do të jenë publike. Në fakt duhet të jenë publike. Nuk ka pasur president tjetër më transparent se unë. Kemi të bëjmë me gjueti shtrigash në nivelin më të lartë; kjo dëmton vendin. Askush në histori nuk ka kaluar një gjë të tillë. Është gjueti shtrigash dhe nuk duhet t’i ndodhë kurrë më një presidenti tjetër,” tha Presidenti Trump.
Kalimi në seanca publike bëhet pasi republikanët i akuzuan demokratët se po vepronin në fshehtësi:
“Jemi velur nga e gjithë kjo. Tani thjesht i bërtasim njëri-tjetrit. Nëse procesi do të zhvillohej i hapur e transparent, amerikanët do të shihnin se çfarë po ndodh. Këtë duam: thjesht një proces transparent,” tha ligjvënësi republikan, Roger Marshall.
Republikanët vazhdojnë të mbrojnë presidentin, edhe në rastet kur shprehen se nuk ka vepruar si duhet.
“Nuk është e rregullt që një president t’i kërkojë një udhëheqësi të huaj të hetojë një rival politik. Mendoj se nuk është e rregullt por nuk besoj se justifikon procesin për shkarkim të mundshëm,” thotë ligjvënësi republikan, Mac Thornberry.
Demokratët mendojnë ndryshe:
“Presidenti shkeli ligjin. I telefonoi presidentit të Ukrainës dhe i kërkoi të hapte hetime mbi një rivalin e tij. Ka argumente të forta se kemi të bëjmë me rryshfet,” thotë ligjvënësja demokrate, Jackie Speier.
Në qendër të debatit është telefonata e 25 korrikut mes zotit Trump dhe homologut ukrainas, Volodimir Zelenski, të cilit presidenti amerikan i kërkoi të hapte hetime mbi pretendentin demokrat në zgjedhjet presidenciale, Joe Biden.
Në momentin e telefonatës presidenti kishte ngrirë 391 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën.
Top Channel