Është “e pashpjegueshme dhe e turpshme” që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk e ka publikuar ende raportin për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në politikat britanike, tha në një intervistë për BBC-në Hillary Clinton, ish-kandidate për presidente të Shteteve të Bashkuara.
Raporti e ka lejen zyrtare, por nuk do të publikohet deri pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Britani.
“Çdo person që voton në këtë vend, e meriton ta shohë këtë raport përpara zgjedhjeve”, u shpreh ish zonja e parë e Amerikës.
Raporti nga Komiteti i Inteligjencës dhe Sigurisë i Parlamentit britanik analizon veprimtarinë ruse në demokracinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ai përfshin pretendime për spiunazh dhe ndërhyrje në zgjedhje.
Dokumenti përmban prova nga shërbimet e inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me përpjekjet e fshehta ruse për të ndikuar në rezultatin e referendumit për Bashkimin Europian në 2016 dhe të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017. Edhe pse raporti është hartuar në muajin mars dhe I është dërguar qeverisë britanike në 17 tetor, drita jeshile për publikimin e tij nuk është dhënë ende dhe kjo nuk do të ndodhë deri pas ditës së zgjedhjeve, më 12 dhjetor.
Emily Thornberry, nga Partia opozitare Laburiste, tha se vendimi për të mos e publikuar raportin para zgjedhjeve të përgjithshme “është i motivuar politikisht”. Duke folur në Parlament, javën e kaluar, ajo tha se raporti mund të ngrejë pyetje për lidhjet midis Rusisë, daljes së Britanisë nga BE-ja dhe udhëheqjes Konservatorëve që kanë pushtetin në Britani.
Top Channel