Kontrollet kufitare të vendeve të BE venë në diskutim ekzistencën e Shengenit

12/11/2019 09:31

Disa vende europiane rivendosën kontrollet kufitare në vitin 2015, kur refugjatët erdhën në Europë. Kontrolli i vazhdueshëm do të zgjatet tani edhe me 6 muaj. Kjo është ilegale, thonë ekspertët, dhe rrezikon Shengenin.

Brenda zonës së Shengenit personat dhe mallrat qarkullojnë të lirë. Marrëveshja, e arritur midis 26 vendeve anëtare të Zonës së Shengenit, pjesa më e madhe e të cilave janë vende të Bashkimit Europian duhet të favorizojë ekonominë dhe qytetarët. Në pjesët e tjera të botës kufijtë e hapur nuk janë gjë e zakonshme.

Rregulla të qarta përcaktojnë se kur dhe si një vend i Shengenit mund të vendosë përkohësisht kontrolle në kufijtë e tij. Deri para disa vitesh vendosja sërish e kufijve ka ndodhur për data të caktuara, si për shembull ngjarje sportive ose konferenca politike. Portugalia vendosi për shembull kontrolle kufitare gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s të mbajtur në Lizbonë, ose Danimarka gjatë mbajtjes së konferencës për klimën në Kopenhagë. Kurse Islanda, kur MC Hells Angels vizitoi klubin islandez të motorëve në Rekjavik. Këto kontrolle zgjasin pak ditë dhe planifikohen kohë më parë.

Gjashtë vende kanë vendosur kontrolle afatgjata

Por, “që nga shtatori 2015 disa vende përdorin çdo mundësi juridike të rregulloreve të Shengenit, për të zgjeruar kontrollin kufitar,” thotë eksperti për migracionin Yves Pascouau, këshilltar në Think Tanks me seli në Bruksel, European Policy Centre (EPC). “Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.”

Rivendosja e kontrollit kufitar

Një grafiku tregon, që nga viti 2008- çdo ngjarje gjatë të cilës vendet e Shengenit kanë vendosur kontroll në kufi. Linja vertikale shënon shtatorin 2015, kur një numër i madh refugjatësh erdhi në Europën perëndimore.

Austria, Gjermania, Sllovenia dhe Hungaria futën në vjeshtë të 2015 kontrollet për shkak “të rrymave të personave që kërkonin mbrojtje ndërkombëtare.” Kjo është hera e parë që migracioni përmendet si arsye për kontrolle në kufi.

Menjëherë pas kësaj gjashtë vende anëtare të Shengenit, futën kontrolle për periudha afatgjata. Austria, Gjermania, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia përmendën si arsye migracionin. Franca futi kontrolle kufitare pas sulmeve të nëntorit 2015 në Paris, për shkak të kërcënimeve terroriste. Sot, katër vjet më vonë ka ende kontrolle kufitare në të gjashtë vendet. Dhe sa herë mbaron afati ato e zgjasin sërish atë. Më 13 nëntor 2019, fillon një zgjatje e re gjashtëmujorëshe e afatit.

“Nga 2015 deri 2017 ka pasur një bazë ligjore për këto kontrolle,” thotë Yves Pascouau, i cili ka studiuar ligjet europiane të migracionit, “por që nga ajo kohë ato nuk kanë më bazë.” Artikulli 29 i kodeksit të Shengenit është baza ligjore për kontrollet mbi dy-mujorëshe. Ai është përpiluar për rastet kur “për shkak të mangësive të mëdha në kontrollimin e kufijve të jashtëm… rrezikohet funksionimi i zonës pa kontrolle në kufijtë e brendshëm.”/DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA