Një burrë ka çarë telat rrethues të një shkolle, është ngjitur në murin e jashtëm e deri te dritarja e një klase, dhe më pas ka spërkatur fëmijët dhe mësuesit me një lëndë kimike, hidroksid sodiumi.
Sulmi ka bërë që 51 fëmijë dhe tre mësues të shkojnë në spital me të djegura, sipas mediave në Kinë, ku ndodhi sulmi. Dëmtimet janë të rënda, por jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet e vunë personin e rrezikshëm nën kontroll dhe thanë se motivi i veprës së tij ishte hakmarrja ndaj shoqërisë.
Ai e kishte blerë sodë kaustike në internet dhe kishte krijuar lëndën që shkakton irritime në sy, djegie të lëkurës, të membranave mukoze si dhe reaksione alergjie.
Kjo nuk është hera e parë që në Kinë shënjestrohen fëmijët e shkollave nga njerëz me probleme mendore.
Në mars të këtij viti, një mësues shkolle fillore u arrestua pasi u helmoi ushqimin 23 nxënësve. Në janar, një 49-vjeçar plagosi 20 fëmijë shkolle me çekiç. Në nëntor, një makinë çau përmes një turme fëmijësh përpara një shkolle, duke vrarë pesë prej tyre e duke plagosur 18. NDërsa në tetor të vitit 2018, një grua 39-vjeçare lëndoi 14 fëmijë në një kopsht.
Top Channel