Kthehen Ndoj dhe Uzuni/ Do luajnë në ndeshjet me Andorrën dhe Francën

11/11/2019 15:44

Kombëtarja shqiptare është në javën e fundit të saj të kualifikueseve të Evropianit të vitit 2020 dhe skuadra jonë përfaqësuese do të kërkojë të mbyllë sa më mirë këtë fushatë teksa ndeshjet e fundit të saj janë ato me Andorën dhe Francën.

Për këto dy ndeshje trajneri Reja ka kthyer në ekip Emanuele Ndoj që duket se është riaftësuar nga dëmtimi dhe Myrto Uzunin që po aktivizohet rregullisht në Kroaci me skuadrën e Lokomotivës.

“Jam më mirë fizikisht, tani kam filluar të stërvitem kam qëndruar 3 muaj jashtë fushave. Të shohim trajneri do të më shohë në stërvitje dhe mund të më aktivizojë. më ka munguar kombëtarja, do të jap maksimumin si çdo herë që jam futur në fushë. Ne jemi lojtarë të Kombëtares, mendojmë për ndeshjen që vjen, dhe do të fokusohemi 100% në ndeshjen me Andorrën më pas do të mendojmë për sfidën ndaj Francës. Dua të bëj apel që tifozët të vijnë në ndeshjen me Andorrën në Elbasan sepse është ndeshja e parë, më pas duhet të mendojmë për Francën”, shprehet Emanuele Ndoj, futbollist i Kombëtares.

“Kur thirresh nga Kombëtarja, ndjehesh krenar që përfaqëson këto ngjyra dhe mezi prisja ftesën. Jam pjesë e Kombëtares, dua të luaj te të dyja sfidat. Jam shumë i lumtur që u riktheva dhe trajneri duke parë që jam aktivizuar më grumbulloi sërish. duhet të vlerësojmë çdo ndeshje jemi profesionistë dhe ne do të hyjmë në fushën e lojës për të fituar. Do të luajmë në shtëpinë e re dhe tifozeria do të jetë aty dhe do të na japë një shtysë akoma më të madhe”, ka thënë Myrto Uzuni.

Sfida mes Kombëtares shqiptare dhe Andorrës do të luhet në Elbasan Arena dhe do të gjykohet nga arbitra estoneze ku kryesori është Kristo Tohver që do të ndihmohet nga asistentët e tij Silver Koiv dhe Aron Harsing. Kjo ndeshje ashtu sikurse edhe ajo e së dielës me Francën në Air Albania Stadium do të transmetohet në Digitalb.

Top Channel