Përplasja me armë në “Duplex”, publikohen pamjet nga konflikti në qendër të Prishtinës

09/11/2019 22:02

Në mesnatën e së premtes u dëgjuan të shtëna të armëve në qendër të Prishtinës. Aty kanë mbetur të plagosur katër roje të klubit të natës “Duplex”.

Sipas “Insajder”, Astrit Mehmeti i njohur me nofkën ‘Llepota’, dyshohet ta ketë kryer këtë vepër duke shtënë me armë zjarri mbi rojet e klubit

Ai kishte qenë i shoqëruar nga Kushtrim Krasniqi dhe Andi Pajaziti. Të dy shoqëruesit e tij, po ashtu, kanë qenë të armatosur.

Po sipas kësaj media, Grupi i Astrit Mehmetit dhe rojet e sigurimit të “Duplex-it” janë gjuajtur me armë zjarri në hyrje të klubit të natës.

Brenda disa sekondave janë dëgjuar të krisura armësh, të cilat kanë krijuar panikë te qytetarët e pranishëm.

Përleshjen me armë mes dy grupeve e ka konfirmuar sot edhe Policia e Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që Astrit Mehmeti përfshihet në të tilla ngjarje në kryeqytetin kosovar.

Rreth tre muaj më parë, Mehmeti ishte ndaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për vendosje të vetëgjyqësisë në lokalin e natës “Che Bar – Te Labi” në Prishtinë.

Top Channel