Presidenca e Bosnies i ka bërë thirrje për sqarim ambasadorit francez këtë të premte, pasi presidenti francez tha se vendi i tyre është një “minë me sahat”, për shkak të lufëtatërëve islamikë që po kthehen nga Siria.
Pasi komentoi refuzimin e Francës për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Makron tha se një shqetësim i vërtetë për BE-në ishte Bosnia Herzegovina.
“Shqetësimi i parë për këtë rajon nuk është as Shqipëria, as Maqedonia e Veriut, por Bosnie-Herzegovina. Një minë me sahat ngjitur me Kroacinë, e cila po has problemin e xhihadistëve që kthehen nga Siria”, tha Makron të enjten në një intervistë për “The Economist”.
Zeljko Komsic, një kroat që drejton aktualisht presidencën ndëretnike të Bosnias, thirri ambasadorin francez për ta informuar në lidhje me numrin e saktë të luftëtarëve të huaj që ka pasur vendi, si dhe në lidhje me përpjekjet e Bosnias për të luftuar terrorizmin. Ai gjithashtu e ka ftuar Makronin të vizitojë vendin e tij.
“Nuk ka luftëtarë që po kthehen. Ata kanë ngecur në burgjet e Sirisë. Dhe po të kthehen, do të kontrollohen e do të dërgohen nëpër burgje”, tha ai.
Deklarata e Makronit mori mbështetje nga nacionalisti serb në Bosnie, Milorad Dodik, i cili i mirëpriti vërejtjet e Makronit dhe tha se të njëjtën gjë kishte thënë dhe ai vazhdimisht.
Top Channel