Ministri i Jashtëm i SHBA-së Pompeo në Berlin 30 vjet pas rënies së murit bën thirrje për luftë të përbashkët për lirinë dhe kujton revolucionin paqësor para 30 vjetësh duke hequr paralele me zhvillimet sot.
Ministri i Jashtëjm i SHBA-së Mike Pompeo në 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit bëri thirrje për një luftë të përbashkët për lirinë. “Ne duhet ta pranojmë, që liria asnjëherë nuk është e garantuar”, tha ai në një fjalim në Fondacionin Körber në Berlin. Bashkë me SHBA Gjermania duhet t’u kundërvihet sistemeve autoritare si Rusia dhe Kina.
Duke iu referuar rënies së Murit të Berlinit Pompeo tha, se SHBA e dinte që sistemi i shtypjes së lirisë në RDGJ (Republika Demokratike e Gjermanisë) dikur do të dështonte. Por nuk mund të vlerësohej koha se kur do të ndodhte kjo. Pompeo lëvdoi “guximin e gjermano-lindorëve për ta rrëzuar murin”. Ai vet në tetor 1989 është larguar nga Gjermania si ushtar i SHBA-së – “pak javë para” rënies sëmurit.
Riforcimi i autoriteteve
Pompeo tha, se para 30 vjetësh ishte i gabuar hamendësimi, që demokracitë e lira pas fundit të Luftës së Ftohtë anë e mbanë ishin në epërsi. Për lirinë duhet luftuar vazhdimisht. “Sot sërish po forocohet autoritarizmi”, tha Pompeo. “Rusia – qeveriset prej një ish oficeri të KGB-së të stacionuar në Drezden – sulmon një vend fqinj dhe godet kundërshtarët e tij”, shtoi ai. “Partia komuniste kineze – krijon një version të ri të autoritarizmit, ajo përdor taktika dhe metoda, për ta shtypur popullin e saj, metoda këto që janë mjaft të njohura për ish-gjermano-lindorët.” Po ashtu edhe Kina kërcënon fqinjët e saj.
Ndaj është e rëndësishme, që Gjermania të mos jetë e varur prej furnizimeve ruse me energji. Uashingtoni kritikon ashpër projektin gjermano-rus të linjës së gazsjellësit Nord Stream 2. Po ashtu Pompeo sërish tërhoqi vëmendjen lidhur me angazhimin e koncernit kinez të telekomunikacionit Huawei në zgjerimin e rrejtit 5G. Autoritetet e SHBA-së dyshojnë se Huawei veprimtarinë e vet si sipërmarrje e shfrytëzon për spiunazh për Kinën. Qeveria e SHBA-së e ka vendosur Huawei në njërën prej listave të zeza të saj.
Pranimi i NATO-s me kushte
Pompeos pas fjalimit iu shtrua pyetja lidhur me qendrimin e tij ndaj NATO-s. Ai iu shmang përgjigjes, nëse ai 70 vjet pas themelimit të NATO-s e konsideron atë si në “koma”, sikurse u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron. Aleanca duhet “të rritet dhe të zhvillohet”, në mënyrë që të mund t’i bëhet ballë sfidave të sotme, tha Pompeo. Çështja thelbësore është: “Si mund të jetë ky institucion ende efektiv dhe relevant pas 70 vjetësh?”
Pompeo qendron pë rnjë vizitë dyditore në Gjermani. Ai të enjten (07.11) pasdite u takua me ministrin e Jashtëm Heiko Maas duke vizituar ndër të tjera edhe Leipcigun. Të premten (08.11) paradite ai pati edhe një takimme ministren e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer./DW
Top Channel