Kulla është një term bashkëkohës, i cili përbën shqetësim për tre artistë. Dhe për të mos qenë lindor, termin kullë e zëvendësojnë me Tower.
Pasi shqetësimi i tyre artistik na sjell jo vetëm emocionet e keqkuptimit biblik, mbrojtjes klanore ballkanike, gjakut kanunor, garës së pandalshme për pushtet, por edhe epjes së një elite që kërkon të vishet me petkun e modernes perëndimore. Erand Nebo, Anteo Gremi dhe Gjergj Meta e shprehin kështu kullën në pikturën e tyre.
“Unë jetoj dhe punoj në një studio me një kullë në tiranë. Artistët e tjerë janë pjesë e zyrave ku qëndrojë dhe punojnë përditë aty. Na ka bashkuar kjo kullë jo vetëm përbrenda ndjesitë që zotëron kulla, për rritjen e saj, për ashensorin, shpejtësinë, për zbritjen, ngjitjen, tensionin, xhamat, lartësitë, frikën që transmetohet nëpërmjet xhamit dhe reflekseve të tij, por edhe për bisedat përreth kullës. Kjo e bën këtë objekt shumë të dëshiruar për ta ekzekutuar në veprat e artit”, shprehet Gjergj Meta, piktor.
Tek Gremi gjejmë një kopsht idilik me ngjyra krejtësisht jo natyrale, Nebo e braktis formën dhe thellohet tek lëvizja dominante e vertikalitetit, ndërsa tek Xhoxho gjejmë kalimtaren e një realiteti tepër tranzitor.
“Kulla më përplaset përditë e çuditshme, e dëshirueshme, pastaj dua ta fshij nga kujtesa, për shkak të madhësisë dhe raportit që krijon njeriu me objektin kullë. Kësaj radhë e shikoj kullën të zbehtë, të larguar, të mohuar”, shton Meta.
Ky dialog trepalësh shpalohet në këtë ekspozitë nëpërmjet pikturës së vajit, smaltit dhe akrilikut, që qëndrojnë në Muzeun Historik Kombëtar.
Top Channel