Një kërcimtar dhe një buratin i vogël që zotërojnë skenën me një kërcim kontemporan sa rebel e të çmendur, aq dhe të qashtër në mesazhet që përcjell për publikun. Shfaqja “Morgan dhe Freeman” e autorit hungarez Ferenc Feher u shfaq mbrëmjen e kaluar në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan.

“Kjo është një shfaqje që vjen nga një artist shumë i veçantë, një nga koreografët dhe përformuesit më të veçantë, më interesantë europianë. Ne si organizatorë të festivalit përpiqemi t’i ofrojmë publikut tonë qasje nga më interesantet, nga mënyra si artistët e vështrojnë botën dhe si sjellin botën e tyre shpirtërore”, thotë Gjergj Prevazi, drejtor i Festivalit.

Fituese në festivalin e Dancit Kontemporan në Hungari, shfaqja “Morgan dhe Freeman” u mirëprit nga publiku në sallë, që inkurajoi me duartrokitje artistin edhe gjatë ndërprerjes së energjisë elektrike në mes te shfaqjes. Feher pritet të performojë sërish në arTurbina në Tiranë mbrëmjen e sotme, ndërsa festivali shqiptar i dancit ndërkombëtar kontemporan do të vijojë deri më 21 nëntor me shfaqje që tërheqin audienca të ndryshme.

“Jemi përpjekur ta zgjerojmë gamën e festivalit në disa drejtime, jo thjesht në gjeografinë e tij që shtrihet në disa qytete dhe në Prishtinë, po dhe në përpjekjen për t’ju qasur audiencave të ndryshme. Këtë vit kemi një shfaqje që vjen nga Franca, Parisi dhe i dedikohet fëmijëve. Është një nga shfaqjet europiane më të mira të 2 viteve të fundit. Ndërkohë 4 vitet e fundit një natë e veçantë e festivalit i dedikohet koreografëve të rinj shqiptarë që të promovohen sa më shumë ata të rinj që i afrohen dancit kontemporan”, thotë ai.

Pedagogu dhe koreografi i mirënjohur Gjergj Prevazi, duke vleresuar ndikimin e festivalit në edukimin e audiencës dhe hapjen e institucioneve artistike ndaj kërcimit temporan e modern, thekson nevojën që kanë koreografët e rinj për t’u mbështetur sa më shumë në krijimtarinë e tyre.

Vali Qyrfyci

Top Channel