Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raportoi ekskluzivisht pak minuta më parë se Redjan Rraja është shtetasi i arrestuar si i dyshuar për përfshirje në atentatin e Shkozetit, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor.
Ka dyshime të arsyeshme se Rraja është përfshirë në atentatin e Shkozetit, ku mbetën të plagosur Arjan Ndoja, prokuror i Durrësit, Landi Muharremi, i njohur si “i forti i Sukthit” dhe Andi Maloku, ky i fundit shofer i mjetit.
Por Redjan Rraja, me profesion stomatolog, nuk është një emër i panjohur për autoritetet dhe publikun.
Ai ka qenë i dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, në lidhje me vrasjen e mikut të tij, Elton Çiço. Ngjarja ka ndodhur më 1 maj të 2016-s, në një lokal në zonën e stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet.
Rraja u akuzua se kishte fshehur armën që mbante viktima Çiço, si dhe telefonin, për të fshehur informacione të tjera.
Dy vite më pas, emri i Redjan Rrajës shfaqet në çështjen “Xhisiela”, ku i përfshirë ishte kushëriri i tij, Rexhep Rraja. Ky i fundit është djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
Oficeri Emiljano Nuhu përmendi emrin e Redjan Rrajës si një prej nipërve të deputetit Rraja që e kishte kërcënuar për shkak të hetimeve që po kryente pas denoncimit të shtetases Xhisiela Maloku. Xhisiela akuzonte djalin e deputetit se dhunonte vazhdimisht, ndërkohë që ajo kërkonte t’i jepte fund lidhjes. Kjo ngjarje më pas u mbyll me tërheqjen e Xhisielës nga denoncimet dhe largimin nga Shqipëria të oficerit Nuhu.
Top Channel