Janë ndezur qirinj dhe vendosur kurora lulesh sot në Prizren pranë muralit të Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje i cili ka ndërruar jetë më 5 nëntor 2016, në burgun e Prizrenit.
Zyrtarë komunalë dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, aktivistë, familjarë dhe miq të Deharit u mblodhën në Prizren për ta kujtuar atë në përvjetorin e tretë të vdekjes.
Qirinj dhe lule vendosën edhe prindërit e Astrit Deharit, gruaja, motra dhe nipi i tij.
Babai i tij, Avni Dehari u tha aktivistëve dhe qytetarëve që pa ndihmën e tyre nuk do të mund të qëndronin të fortë.
“Me plot gojën do ta them që pa mbështetjen tuaj ne nuk do ia kishim dalë të qëndrojmë të fortë, nuk ia kishim dalë që të qëndrojmë deri te zbardhja e mbytjes së Astritit në burgun e Prizrenit. Kemi shpresë dhe besim të madh se me mbështetjen tuaj do t’ia dalim t’i zbardhim edhe rrethanat e vdekjes së Astritit me 5 nëntor në këtë burg, dhe t’i nxjerrim para përgjegjësisë të gjithë ata që drejtpërdrejt kanë pasur dorë në mbytjen e Astritit dhe atë që kanë bërë përpjekje të mëdha për ta fshehur mbytjen duke e mbuluar me deklarata për vetëvrasje”, tha ai.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka foli për punën dhe angazhimin e Astrit Deharit, të cilën siç tha ai, nuk e ka reklamuar, por ka punuar i qetë për të mirën publike.
“Tre vjet pas po kërkojmë përgjegjësi institucionale, po kërkojmë që ata që kanë qenë përgjegjës të japin përgjegjësi për atë. Dhe nuk do të ndalemi derisa ata që e vranë Astritin të dalin para ligjit, ndërsa ata që u munduan ta fshehin po ashtu të japin përgjegjësi personale dhe institucionale”, tha Haskuka.
Sot, në trevjetorin e vdekjes së Astrit Deharit janë mbajtur edhe aktivitete të tjera ku dita ka nisur me homazhe pranë varrit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, pastaj marshi në sheshin qendror të Prishtinës nën moton “Një popull për drejtësi”, dhurimi i gjakut në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet, dhe Komuna e Prishtinës në shenjë proteste dhe përkujtimi ka ndaluar të gjitha shërbimet me palë për 5 minuta
Top Channel