Në fshatin Kashtëbardhë të Lushnjes, Ilir Cemerit ka mbjellë 1 hektar tokë me kastravecë. Iliri thotë se viti më i keq i bujqësisë është 2019, kjo sepse mungojnë politikat mbështetëse për fermerin.
“Unë jam minus 15 milionë lekë nga shpenzimet, deri në këtë moment kam shitur 350 kuintalë dhe kam marrë rreth 7 milionë e 500 mijë lek (të vjetra). Kur vjet në këtë kohë në vitin e kaluar unë kisha marrë 22 milionë lekë po me të njëjtën sasi kastravecësh”, shprehet fermeri.
I pyetur se çfarë ndodh me shitjet, Cemeri përgjigjet:
“Çmim pra nuk ka çmim. Çmimi ka qenë përtokë, shumë mall e kemi hedhur. Para dy javësh malli ishte me 10 lekë, me aq unë nuk mbuloj shpenzimet, ndërkohë që kostot për kilogram janë 25 deri në 30 lekë.”
Sipas fermerëve për të përfituar një subvencion është e pamundur.
“Vajtëm atje na kërkuan serat 2.8, t’i prish unë serat tani? Ndërkohë që shtëpitë në Tiranë janë 2.7 metra. Nëse qeveria ka plan ose të subvencionojë për njësi prodhimi sepse sera ka shumë. Unë e di shumë se serat që kanë marrë subvencion kanë prodhim brenda. I kanë marrë subvencionët ata që nuk punojnë. Nuk ka ndihmë fare as për plastmas as për farishte.”
Top Channel