Përmbysje spektakolare e Dortmundit në Signal Iduna Park. Verdhezinjtë edhe pse ishin në disavantazh të dy golave në fund pjesës së parë, mposhtën 3-2 Interin duke hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në raundin tjetër pasi u ngjitën vendin e dytë të grupit F me 7 pikë, 1 më pak se Barcelona e vendit të parë që nga ana e saj zhgënjeu në Camp Nou duke barazuar 0-0 me Slavian e Pragës.
Për të rikthyer te sfida më e rëndësishme e mbrëmjes ajo që u zhvillua në Gjermani. Interi ishte vrastar në pjesën e parë pasi në dy goditjet e vetme në portën e Burkit shënoi dy gola. Në minutën e 5-të Lautaro Martinez finalizoi një aksion individual duke realizuar një gol shumë të bukur ndërkohë që në minutën e 40-të, një aksion model i Interit i nisur nga Lautaro u mbyll me gol nga Vecino pas asistit të Candrevës.
Por në pjesën e dytë zikaltërve u ranë bateritë, pasi te skuadra e Contes u ndje shumë lodhja dhe nga kjo përfitoi Dortmundi që falë një Hakimi në superformë përmbysi gjithçka.
Mbrojtësi maroken që te verdhezinjtë luan i huazuar nga Reali bëri atë çfarë donte në krahun e djathtë teksa fillimisht shkurtoi shifrat në minutën e 51-të. Presioni i Dortmundit ishte mbytës për Interin e Contes me Candrevën dhe Brozovic që gabuan rëndë duke i dhuruar edhe golin e dytë verdhezinjëve në minutën e 64-t, ishte Julian Brandt ai që u tregua shumë i zgjuar duke nxjerrë një gol nga hiçi.
Për golin e fitores mendoi sërish Hakimi që në minutën e 77-të, i shërbyer nga Sancho mposhti për herë të 3-të në këtë ndeshje, Handanovic duke i dhënë fitoren Dortmundit.
Top Channel