Kukësi mori një fitore minimale 1-0 ndaj Flamurtarit, falë golit të shënuar nga sulmuesi Mirlind Daku, ndërsa trajneri Shpëtim Duro, në intervistën e dhënë për “Gol pas Goli” në Supersport pranoi vështirësinë e këtij takimi dhe u shpreh i kënaqur me marrjen e tre pikëve.
Një skuadër me dy fytyra sot… Çfarë ndodhi me Kukësin?
Të tregohem i sinqertë, e kam pasur shumë frikë këtë ndeshje, sepse takime të tilla janë shumë të vështira. Ju mendoni se Flamurtari është ekip i lehtë, por në përbërje ka lojtarë shumë të mirë dhe për më tepër, nuk ka të njëjtën përgjegjësi që kemi ne në fushën e lojës. Më pas ndikojnë edhe faktorë të tjerë të jashtëm si cilësia e fushës, prania e tifozëve, dëmtimet, etj., por në fund morëm 3 pikët dhe jam i kënaqur për këtë fakt.
Sa i kënaqur jeni me Dakun, që luajti titullar dhe ju dha fitoren?
Daku është zëvendësuesi i parë i Shkurtajt, që po luante vazhdimisht dhe po bënte mirë, ndërsa sot i erdhi radha dhe bëri detyrën, duke na dhënë fitoren. E përgëzoj për mënyrën se si hyri në lojë dhe si veproi sot.
Mos ndoshta sakrifikuat shumë me Kitanovskin të avancuar?
Dëmtimet na kushtëzuan të bëjmë atë lëvizje, ndonëse e kuptova që ai nuk po përshtatej dhe u detyrova të ndërhyj e ta zëvendësoj.
Abazaj, Gavazaj e Shkurtaj nuk po luajnë asnjëherë të tre së bashku…
Është e vërtetë që dëmtimet nuk po na lejojnë të luajmë me formacionin më të mirë. Të tre janë lojtarë shumë cilësorë, që mund të zgjidhin të vetëm ndeshjen, por për fat të keq nuk po i aktivizojmë dot së bashku.
Sa i kënaqur jeni me portierin Xhika?
Unë e njoh mjaft mirë Xhikën dhe ia di aftësitë, ndërsa sot na shpëtoi në 2-3 momente mjaft vendimtare. Këmbëngula ta marr në skuadër dhe besoj se po e shpërblen mjaft mirë besimin tim.
Top Channel