Prej vitesh jetojnë dhe punojnë larg Shqipërisë, por u bashkuan dhe ekspozitën e tyre vendosen ta çelin në Shkodër. 7 fotografë të rinj, me ndihmën e kuratorit të njohur francez Francois Cheval, prezantuan fotot e tyre me të veçanta, në mjediset e muzeut kombëtar “Marubi”.

“Ky është një projekt për tu përgëzuar dhe afatgjatë që na tregon se Shqipëria do të ketë diçka domethënëse. Çështja e modernizimit të imazheve është emergjente. Në Shqipëri ashtu si në botë konsumohen imazhe të një cilësie jo të mirë.

Roli i artistëve është të ndihmojnë njerëzit që t’u hapen sytë. Sot kemi shembuj të tillë plot në internet. Duhet të tregojmë kush jemi në të vërtetë. Nëse do të themi çfarë simbolizon një shqiptar, kemi shembuj të tillë plot në botë, janë edhe këto artiste të rinj”.

Mesazhet që përcjellin 7 fotografët janë të ndryshme pasi edhe tematikat janë jo të njëjta por ata i bashkon ideja që rikthimi në vendlindje nuk është kurrë vonë dhe kontributi për Shqipërinë duhet të vazhdojë.

Ekspozita “Shtatë fotografë shqiptarë. Një rezidencë” do të qëndrojë e hapur në fototekën “Marubi” deri në muajin janar.

Klodian Zhivani

Top Channel