2 persona kanë rënë në pranga dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia e Dibrës për vjedhje me armë të një shume parash në një banesë.
Pas disa orë ndjekjeje dhe mbajtje në hetim është bërë i mundur arrestimi i M.M, 26 vjeç dhe D.M, 26 vjeç, që të dy banorë të Kukësit.
Policia e Dibrës pas marrjes së informacionit se disa persona ishin futur në një banesë në fshatin Grykë Nokë dhe nën kërcënimin e armës kishin marrë një shumë parash ka shkuar në vendngjarje dhe është vënë në ndjekje të autorëve.
Autorët në momentin që kanë konstatuar se po ndiqeshin nga policia kanë braktisur mjetin e tyre duke u fshehur në malin e fshatit Shumbat.
Dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa shtetasi M.K, 25 vjeç, banues në Dibër, dhe F.H, 20 vjeç, banues në Kukës, kanë mundur të largohen duke marrë me vete edhe shumën e parave të vjedhura, të cilët janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në fshatin Grykë Nokë, Dibër, dyshohet se nën kërcënimin e një arme, kanë vjedhur në banesën e shtetasit I.H, shumën prej 300.000 lekë, dhe më pas janë larguar me një automjet tip ‘Opel’.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti i përdorur nga autorët. Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë Dibër për veprën penale “Vjedhje me armë”, e kryer në bashkëpunim.
Top Channel