Pasditen e së premtes, prokurori që së fundmi është vënë përballë akuzave të qeverisë për përfshirjen e tij në korrupsion dhe lidhje me krimin, Arian Ndoja u plagos së bashku me dy persona të tjerë, shoferin e tij, Andi Malokun dhe biznesmenin Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si Landi Muharremi.

Atentati ndodhi rreth orës 16:30 minuta, në autostradën Durrës-Tiranë, saktësisht në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”.

Prokurori Arjan Ndoja dhe biznesmeni Aleksandër Laho, u sollën në Spitalin Rajonal të Durrësit për trajtim mjekësor dhe janë të dy jashtë rrëzikut.
Rreth 4 orë pas ngjarjes, në spitalin e Durrësit, shihen të hyjnë prokurori Anton Martini dhe Drejtori i Përgjithshem i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Ndërkaq, shoferi i prokurorit Ndoja, Andi Maloku, u soll në spitalin e traumës për trajtim të specializuar ku iu nënshtrua një operacioni për shkak të plumbave të shumtë në pjesën e kraharorit.

Veprimet e para hetimore, po hedhin dritë mbi pistën nëse shënjestra e atentatit ka qenë prokurori Ndoja. Por megjithatë, referuar dinamikës së ngjarjes, ku është qëlluar në pjesën e pasme të makinës, ku pasagjer ishte Aleksandër Laho, ka dyshime të forta dhe nuk përjashtohet mundësia që shenjestra të ketë qenë shtetasi Laho, i njohur me dy nofka, si Landi i Shijakut apo Rumi i Sukthit.

Aleksandër Laho, rezulton se muajt e fundit ka qenë i përfshirë në disa ngjarje.

Rreth një orë pas atentatit, policia gjen një mjet të braktisur pranë varrezave të fshatit Shkafanë në Ishëm. Në mjetin tip Benz, ngjyrë gri dhe me targa shqiptare fallso, u gjetën dy armë të llojit kallashnikovë si dhe dy maska që dyshohet se mund të jenë përdorur nga autorët për të fshehur identitetin e tyre nga kamerat e sigurisë në çastin kur kanë qëlluar mbi makinën e prokurorit.

Ndërkaq, bëhet me dije se makina e gjetur e braktisur, është transportuar në Tiranë për t’iu nënshtruar ekspertizës.

Burime të sigurta, bënë me dije se për këtë atentat, në policinë e Durrësit, janë shoqëruar disa persona të cilët po merren në pyetje. Top Channel i disponon emrat e tyre, por për arsye proceduriale të shoqërimit nuk do t’i bëjë publik.

Policia e Durrësit, ka njoftuar se është vënë në ndjekje të autorëve dhe së në rrugët që lidhen me këtë qytet janë ngritur postblloqe.

Andi Bora

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA