Për mbrojtjen e Kosovës një popull i tërë u ngrit në këmbë, i udhëhequr nga bijat dhe bijtë më të mirë, siç ishin Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, u tha në akademinë përkujtimore, në 30 vjetorin e rënës së dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Afrimi dhe Fahriu ranë heroikisht 30 vite më parë në luftime të pabarabarta me forcat e armikut në Bregun e Diellit në Prishtinë.
Kryetari i Shoqatës së Dëshmorëve, Xhavit Jashari pyeti se cila ishte Kosova dhe Prishtina e 30 viteve më parë, kur me qëndresën e tyre heroike, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazkiu përflakën qiellin.
“Sot 30 vjet nga rënia e heronjve të Kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazkiu, përkujtojmë ata që hapën të parët rrugën e madhe të ardhjes së lirisë. Përkujtojmë dhe nderojmë ata që me krismat e pushkëve të tyre, na dhanë mësimin se liria nuk vjen me lutje, e as nuk vjen nga qielli, ajo vjen përmes grykës së pushkëve dhe me gjakun e dëshmorëve të kombit”, tha Jashari.
Bashkëveprimtari i Afrimit dhe Fahriut, Sabri Kiçmari riktheu mendimin në momentet e fundit të dy dëshmorëve të lirisë.
“Dua që të kthej në vëmendjen tuaj të një momenti reflektimi për jetën dhe lirinë, shtetin dhe shoqërinë, Republikë dhe Shqipërinë. Cili ka qenë mendimi i fundit politik i Afrim Zhitisë, para se të pushonte zemra e tij e madhe? Cili ka qenë veprimi dhe mendimi i fundit i Fahri Fazliut, para se të shtrihej i goditur nga plumbat, trupi i tij i pashëm? Si një nga shokët e tyre, një hamendësim i tillë me përcjell prej 30 vitesh. Do të dëshiroja shumë, të dija shumë më shumë për momentet e tyre të fundit, reflektimet e tyre, veprimet e tyre të fundit. Por në të njëjtën kohë e ndjej vetën me fat, e di cili ka qenë përfytyrimi i tyre për lirinë, Republikën, shoqërinë, Kosovën dhe Shqipërinë”, tha ai.
Kiçmari tha se Afrimi në rrafshin teorik ka mbrojtur pikëpamjen se qëllimi i politikës është liria, kurse Fahriu ishte dora vepruese e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.
“Afrimi në rrafshin teorik ka mbrojtur pikëpamjen se qëllimi i politikës është liria. Ajo në kohën tonë manifestohej me kërkesën Kosova Republikë, si hapi i parë, kurse bashkimi kombëtar ishte rrjedhim logjik, ose qellim strategjik. Duke e njohur sentencën, se historia botërore është në përparim në vetëdijen e lirisë, një përmbarim që duhet ta njohim në domosdoshmërinë e tij, Afrimi ishte i vetëdijshëm se lufta për liri, është e domosdoshme, sepse vetëm një komb kur është i lirë ai mund të njoh dhe të realizojë të vërtetën dhe jo thjeshtë të përmbushë vullnetin e kombit tjetër. Fahriu ishte dora vepruese e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, ai ishte aksionisti, planifikuesi dhe realizuesi i planeve operative të sektorit të veçantë, i demonstratave dhe grevave. I vetëdijshëm se njeriu lind i lirë, por gjendet gjithkah i rrethuar nga prangat, Fahriu do të insistonte që qytetarët e Kosovës për mes veprimit konkretë për idenë e lirisë, të shndërroheshin në subjekt për vete”, tha ai.
Veprimtari Mehmet Hajrizi tha se Lëvizja kombëtare shqiptare e fillimit të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar pas pagëzimit të zjarrit me kryengritje të vitit 1981, pati humbje të rënda, por në radhët e saj u ripërtëri nëpër flakët e pushkëve, me shtetrrethim, e nëpër barrikada, duke formuar e kalitur veprimtar të shquar profesionist, si Afhrimi e Fahriu.
“Për mbrojtjen e Kosovës një popull i tërë u ngrit në këmbë, i udhëhequr nga bijat dhe bijtë më të mirë, siç ishin Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Në ditën e heqjes së autonomisë, në demonstratë, regjimi vrau 29 shqiptarë dhe deri në fund të prillit, numri i të vrarëve arriti në 100. Duke u përgatitur për rezistencën e armatosur, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe bashkëluftëtarët e tyre të shquar, Ali Aejti, Fadil Vata e të tjerë, ishin pararendësit e UÇK-së”, tha Hajrizi.
Nipi i Fahri Fazliut, i cili mban emrin e xhaxhait të tij, tha se historia e këtij populli na bënë të kujtojmë të kaluarën dhe flijimet ndër shekuj, ku atdheu dhe kombi janë mbi të gjitha.
“Prezenca juaj tregon se ende ka njerëz që s’e kanë harruar vlerën e kombit, sepse historia e këtij populli na bënë të kujtojmë të kaluarën dhe flijimet ndër shekuj, atdheu dhe kombi janë mbi të gjitha. Ne familjarët e dëshmorëve, jemi krenar me të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar, jemi krenar me gjakun e derdhur për liri, jemi krenar që jemi pjesë e etapës së historisë sonë kombëtare”, tha ai.
Kurse mbesa e Afrim Zhitisë, theksoi se “burrat s’qahen thuhet në shqip”, por siç tha ajo, kjo është shumë më e komplikuar se kaq. “Ata burra dhe ato gra, kanë qenë djem e vëllezër, vajza e motra”, raporton KosovaPress.
Top Channel