Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj derisa ka bërë homazhe tek shtatorja e heroit Zenun Pajazit me rastin e ditëlindjes së tij, foli edhe rreth prezantimit të mbrëmshëm të ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku në mbledhjes e Këshillit të Sigurimit.
Duke mos e komentuar shumë paraqiten e Çitakut, Haradinaj vazhdoi me akuza për idenë e shkëmbimit të territoreve ku sipas tij pro kësaj ideje përveç presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama u rreshtua edhe ambasadorja kosovare, Vlora Çitaku. Duke e konsideruar si të gabuar këtë veprim, kryeministri në detyrë deklaroi se veprime të tilla nuk i pengojnë zyrtarët e Kosovës që t’i shërbejnë vendit në situata tjera.
“Plot zyrtar të Kosovës që janë rreshtuar pro ndarjes në emër të shkëmbimit të territoreve kanë bërë gabim të madh, të gjithë që kanë qenë pjesë e kësaj çoftë Vlora, qoftë zotëri Thaçi, qoftë kryeministri Rama, qoftë të tjerë me këtë ky gabim nuk ua ndalon atyre në tema tjera dhe situata tjera me i shërbye vendit, pra nuk është e ndaluar. Po është e vërtetë kanë qenë pjesë e kampanjës për ndarje të Kosovës në emër të shkëmbimeve territoreve”, tha kryeministri në detyrë.
I pyetur se si e sheh Albin Kurtin si pasues të tij, Haradinaj tha se nëse punon në interes të vendit do e përkrah në të kundërtën do e kundërshtojë atë.
“Nuk është pasues i imi, është kryetari i Qeverisë së vendit nëse e voton Parlamenti dhe i uroj sukses në punët në interes të vendit, nëse punon në interes të vendit i jap përkrahje, nëse jo e kundërshtoj“, tha Haradinaj.Kosovapress
Top Channel