Linja ajrore australiane “Qantas” vendosi ta lërë në tokë njërin prej avionëve të saj “Boeing 737 NG”, pasi zbuloi plasaritje pranë njërit prej krahëve të tij. Të njëjtat probleme, sipas AFP-së, kanë bërë që gati 50 avionë të tillë në mbarë botën të mos ngrihen në fluturim.
“Një krisje nuk e kompromenton menjëherë sigurinë e avionit, por ne nuk do ta përdornim kurrë një mjet fluturues nëse nuk do të ishim plotësisht të bindur në sigurinë e tij”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kompania ajrore.
Çarjet janë diktuar në pjesën që bashkon trupin e avionit me krahun. Muajin e kaluar, autoritetet amerikane urdhëruan kontrollin e të gjithë 737 NG-ve që kanë kryer më shumë se 30,000 fluturime.
Sipas Qantasit, këtë nivel fluturimesh nuk e ka arritur asnjë prej avionëve të saj 737 NG, e madje dhe ai të cilit iu gjet krisja, kishte më pak se 27,000 udhëtime te regjistruara.
Incidenti ndodh pasi Boingu u detyrua të lërë në tokë më herët gjatë vitit modelin e tij më të ri, 737 Max, në mars, në vazhdën e dy aksidenteve fatale. Në tragjedinë e Indonezisë, tetorin e vitit të kaluar, dhe atë të Etiopisë marsin e këtij viti, humbën jetën gjithsej 346 persona.
Top Channel