Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade thotë se për dështimin e negociatave nuk duhen parë përgjegjësitë vetëm te dështimi i Bashkimi Evropian, por gjithçka duhet të fillojë nga vetja dhe të identifikohen gabimet.
Në emisionin Top Talk në Top Channel, Dade tha: “Besoj se të dyja qasjet, në mënyrë të veçantë ajo e kryeministrit, por edhe e opozitës, janë të gabuara. Nuk ka një vijë ndarëse me thikë sa qëndron gabimi apo përgjegjësia në anën e BE-së dhe sa qëndron në anën e vendeve që shpresonin. Nuk duhet konsideruar si një proces që ka vetëm një anë, pra vetëm në anën e vendeve që kanë nisur tashmë punën për agjendën evropiane, pasi është po aq përgjegjësi edhe e strukturave të BE-së që na kanë monitoruar, na kanë mbështetur jo vetëm në nivel të ekspertizës, por edhe të fondeve. Qasja më normale do të ishte ta fillonim nga vetëvetja, ku kemi gabuar dhe çfarë nuk kemi përmbushur. Edhe mburravecëria se i kemi bërë të gjitha, ata e kanë fajin dhe tregimi me gisht i Francës, është e gabuar sepse po t’i referohemi historisë së vonë, Franca ka qenë mbështetëse e të gjitha procesve tona integruese”.
“Arsyeja që ka nxjerrë Franca për azilkërkuesit ka qenë shumë e mprehetë edhe disa vite më parë me Gjermaninë dhe Holandën”, shtoi ajo.
Sipas Dades, “etika diplomatike nuk mund të ngatërrohet dhe të merret e mirëqenë për një mbështetje 100%”.
Arta Dade theksoi se reformat e ndërmarra nga Qeveria nuk kanë përmirësuar cilësinë e qytetarëve shqiptarë.
“Nëse rezulton sipas kryeministrit që janë kryer të gjitha reformat, atëherë çfarë ka çaluar? Ka çaluar diplomacia? Ka çaluar niveli i intelekutorëve? Ka një kakofoni dhe nuk ka qëndrueshmëri me hapat që hidhen. Efektet e këtyre reformave e kanë mbërritur te qytetari më i fundit i Shqipërisë? A e di qytetari i Ersekës se integrimi evropian do të thotë që t’ja sjellësh Europën këtu apo është gjithmonë një retorikë për show? Rezulton se këto reforma nuk e kanë përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë në mënyrë që ata t’i afrohen dhe të kenë optimizimin se do të jetojnë nesër si qytetarë të Evropës”, tha ish-ministrja.
Sipas saj, “ka një sërë arsyesh që vendet (e BE-së) kanë thënë jo për Shqipërinë”.
Për Arta Daden, në këtë situatë, edhe ndonjë dorëheqje në nivel të lartë do të ishte e pranueshme, pasi nuk ka asnjë individ të pazëvendësueshëm.
“Nuk duhet të kapim televizionet dhe të reflektojmë arrogancë, por të punojmë me modesti dhe realisht të shikojmë se çfarë nuk ka funksionuar. Edhe ndonjë dorëheqje do të ishte e pranueshme në planin moral sepse në fund të fundit kryeministri apo ministrat largohen edhe kur nuk janë vetë përgjegjës për atë se çfarë ka ndodhur. Njerëz të pazëvendësueshëm nuk ka”, tha Dade.
Top Talk/ Arta Dade sulmon ashpër Edi Ramën: Shkelësi më i madh i demokracisë në PS
Top Channel