Gjykata e Tiranës, do të zhvillojë në datën 5 nëntor, seancën paraprake për Nadir Çaushollin, administratorin e Kompanisë CFO Pharma, i marrë i pandehur nga prokuroria për mashtrimin që ai bënte me ilaçin e quajtur Soludamin, duke e shitur 18 herë më shtrenjtë.
Në këtë seancë pritet që gjytari Albert Meçe, të shqyrtojë kërkesën nëse çështja do të shkojë për gjykim.
Prokurori i çështjes, Kreshnik Ajazi, në kërkesë për gjykim parashtron se Çausholli ka falsifikuar vulat e Agjencisë së Barnave.
Po ashtu, prokurori Ajazi thotë se ka rezultuar që shërbimet e policisë gjyqësore kanë marrë si provë investigimet realizuara nga Top Channel, sipas së cilave “CFO Pharma” ka hedhur në treg medikamentin “Soludamin”, me çmim shumë herë më të shtrenjtë se çmimi i përcaktuar nga Agjencia e Barnave.
Në përfundim të hetimeve, thotë prokurori, Nadir Çausholi ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit” kryer më shumë se një herë, “Manipulim i tregut” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, kryer më shumë se një herë.
Prokurori i çështjes , ka vlerësuar se veprat penale janë kryer me dashje direkte sepse subjekti i veprës penale e ka kuptuar karakterin e kundërligjshëm të veprimeve të tij dhe megjithatë ai me vetëdije i ka kryer ato.
Top Channel