Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me drejtues të shërbimit zjarrfikës në vend, për të diskutuar mbi mënyrat se si mund të përmirësohet kjo strukturë dhe projektet që janë konceptuar në funksion të këtij qëllimi.
Ai vuri theksin te përgatitja dhe rritja e profesionalizmit në radhët e këtij shërbimi.
Lleshaj theksoi se duhet ngritur sa më parë një qendër trajnimi shumëfunksionale për personalin zjarrfikës, ndërsa nënvizoi se marrja e personelit në këtë shërbim duhet bërë vetëm nëpërmjet një shkolle të posaçme.
Ministri u shpreh se shërbimi zjarrfikës duhet të plotësohet me punonjës që kanë përgatitje si forcat speciale, madje duke e krahasuar vështirësinë që duhet të përballin personeli zjarrfikës me ata të trupave speciale, ai tha se sfidat e zjarrfikësve janë më të rënda se ato të trupave speciale të policisë.
“Ne na duhet të kemi një shërbim zjarrfikës që të jetë forcë speciale e Shqipërisë. Ne kemi forca speciale në ushtri, në polici, dhe kjo duhet të jetë një forcë speciale. Në kuptimin që ata që punojnë zjarrfikës duhet të jenë më të fortë se ata të RENEA–s që kemi, në çdo aspekt.
Duhet të jenë më të zotët, në çdo aspekt, sepse e kanë luftën më të fortë sesa luftë me një bandit me kallashnikov, është lufta me një grataciel, që të ngjitesh në katin e 20-të me shkallë, nëpër flakë e të dalësh me sukses. Është punë që pak njerëz e bëjnë. Me këtë synim duhet të ecim për të krijuar një shërbim, i cili ka këtë standard, të paktën t’i kemi si këto FNSH-të, si këto RENEA-t, në këtë nivel, njerëzit, por edhe standardet e tjera,” tha Ministri.
Në lidhje me projektet që janë ideuar dhe do të punohen, Ministri Lleshaj u shpreh se “përveç ligjit njëherë që duhet ta shohim, duhen hartuar disa dokumente bazë, disa strategji bazë, që kanë të bëjnë me arsimimin, me kualifikimin, me rekrutimin, promovimin në karrierë. Duhet të hartojmë një tabelë të organizimit të pajisjeve standard. Të dimë se çfarë ka një stacion. Një stacion në Dropull, edhe në Tropojë, duhet të jetë në të njëjtin organikë. Qoftë si stacion, qoftë individët, pra për t’i standardizuar këto gjëra.
Duhet të punojmë për të hartuar disa projekte të rëndësishme. Projekti i parë që unë kam ndërmend të merrem është projekti për qendrën e trajnimit të zjarrfikësve. Mbetet kërkesë imediate, një orë e më parë duhet bërë! Dhe thashë, ne do të punojmë për ta perceptuar si një qendër trajnimi shumëfunksionale, ku zjarrfikësit kanë një bllok të vetin,” theksoi Lleshaj.
Për rekrutimin e personelit në shërbimin zjarfikës, Ministri tha se “hyrja në shërbimin zjarrfikës duhet të ketë vetëm një derë dhe kjo do të jetë dera e shkollës. Si çdo shërbim profesional në botë, nuk hyhet nga dritarja, hyhet nga dera kryesore, e cila është e cila është shkolla “X”. Bën trajnimin bazë i cili është 6 muaj apo 1 vit, futesh dhe pastaj ngjitesh”.
Ministri u shpreh gjithashtu edhe për rritjen e profesionalizmit në radhët e shërbimit zjarfikës dhe nënvizoi se “do të bëjmë shumë projekte, të cilat do të bëhen në mënyrë të përqendruar, dhe do të ekzekutohen nga bashkitë. Qeveria u jep bashkive fonde të pakushtëzuara. Dhe kur ua jep këto, u thotë që “do t’ju jap kaq, por kaq i ke për uniformat, kaq i ke për të blerë zjarrfikëse të reja!”
Qëllimi është të arrijmë një sistem dhe një trupë zjarrfikëse, e cila të jetë profesioniste. Na shërben më shumë, se sa shumë struktura të tjera!”
Top Channel