Pas rezultateve të dobëta të CDU-së konservatore në zgjedhjet në Lindje, brenda partisë nuk kursehen kritikat. Njëri nga kritikët e quan qeverinë Merkel “tmerrësisht të dobët”.

Annegret Kramp-Karrenbauer nuk tingëllon shumë e lumtur, kur takohet të hënën me përfaqësuesit e shtypit. Ajo flet për një “ditë të hidhur për CDU” dhe në të njëjtën kohë e di se dita mund të ketë pasoja të hidhura për të si drejtuese partie – dhe pasardhëse të mundshme të Merkelit. CDU-ja konservatore ra në vendin e tretë në zgjedhjet në landin gjerman lindor të Tyringisë të dielën.

Partia E Majta dhe partia populiste Alternativa për Gjermaninë (AfD) arritën të bindin më shumë votues sesa partia e drejtuar nga Kramp-Karrenbauer. Një shuplakë zgjedhore, që bën që karrigia e saj, që tashmë po lëkundet, të lëkundet edhe më tej.

Që kur kancelarja gjermane Angela Merkel njoftoi se do të hiqte dorë nga kryesia e CDU-së dhe se nuk dëshiron të kandidojë më për kancelare në zgjedhjet e ardhshme federale në vitin 2021, është ndezur lufta për pasardhësin e saj në parti. Vërtet që kandidatja e preferuar e Merkelit, Annegret Kramp-Karrenbauer, e fitoi me diferencë të ngushtë votash kryesinë e CDU në kongresin e Partisë vitin e kaluar, por e padiskutueshme ajo nuk është aspak.

Pak djathtas, ju lutem

Jo pak vetë në parti kritikojnë faktin që Angela Merkeli në 14 vjetët kur e drejtoi ajo, e ka zhvendosur CDU-në më tej në të majtë. Ata kërkojnë një profil të qartë konservator, si recetë për sukses kundër populistëve të djathtë të AfD-së që janë forcuar. Kjo parti fitoi shumë vota jo vetëm në zgjedhjet në Tyringi, por edhe në dy zgjedhje të tjera në Gjermaninë Lindore vendin e dytë përsa u përket votave.

Për shumë vetë, Friedrich Merz, një kundërshtar i përjetshëm i Merkelit, konsiderohet figurë simbol dhe bartës i shpresës në këtë drejtim. Megjithëse ai i humbi zgjedhjet për kryesinë e partisë kundër Kramp-Karrenbauer-it dhe aktualisht nuk ka ndonjë post politik, ai merr pjesë shumë aktiv në debatin e brendshëm politik mbi CDU.

Pas zgjedhjeve të Tyringisë, ai e përshkroi në një intervistë me kanalin televiziv gjerman ZDF, qeverinë federale si “tmerrësisht të dobët”. Performancën e dobët të partisë së tij, ai ia faturon veçanërisht Angela Merkel-it. Ai e akuzon atë për “mungesë orientimi” dhe thotë hapur se nuk mund ta përfytyrojë që kjo lloj qeverisjeje të zgjasë edhe dy vjet të tjerë. Kramp-Karrenbauer nuk e sulmon drejtpërdrejt Friedrich Merz-in, por e pranon se në konferencën e partisë CDU në nëntor letrat mund të përzihen sërish.

Kramp-Karrenbauer i konfronton ballas kundërshtarët

Një person që – me sa duket – do të dëshironte ta shihte Merz-in në krye është Tilman Kuban, kryetari i Konservatorëve të Rinj. Junge Union (Bashkimi i Ri) kërkon që për kancelarin të votohet një votim direkt të bazës. Megjithëse organizata e rinisë e CDU-së thekson se me këtë do të tërheqë sa më shumë anëtarë të partisë, shumë e shohin këtë hap si fyerje ndaj Kramp-Karrenbauerit, e cila – po të ketë sukses propozimi i votimit të bazës – nuk do të ishte automatikisht kandidate për kancelare si kryetare partie që është.

Ishte Kubani ai që e shtroi “çështjen e drejtimit” të partisë menjëherë pas zgjedhjeve të Tyringisë në Kryesinë Federale të CDU-së, siç e njoftoi vetë Annegret Kramp-Karrenbauer për shtypin – duke e komentuar drejtpërdrejt. “Ai që mendon se kjo çështje duhet të vendoset këtë vjeshtë, ka mundësi ta bëjë këtë në Kongresin Federal të Partisë.” Kongresi Federal i CDU-së është vitin e ardhshëm. Edhe nëse deri atëherë karrigia e saj mund të lëkundet edhe më shumë: që të dorëzohet, Kramp-Karrenbaueri edhe pas shuplakës së këtyre zgjedhjeve, nuk duket se e ka në mendje./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA