“Qyteti Studenti”, vetëm pak muaj më parë, nga një ‘ishull” në Tiranë, sot është kthyer në një nga atraksionet më të frekuentura jo vetëm për studentët që banojnë në godinat tashmë të rikonstruktuara, por edhe për shumë studentë të fakulteteve të tjera, si dhe për qindra e mijëra banorë të njësisë nr. 2 që banojnë përreth.

Falë angazhimit të ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës në kuadër të “Paktit për Universitetin” u arrit që ajo që nuk ishte bërë për 30 vite të bëhej brenda pak kohe duke i transformuar tërësisht kushtet.

Vetë studentët dhe banorët përreth shprehen se transformimi i kryer në harkun kohor të 7 muajve, “ishte i paimagjinueshëm dhe për më optimistin”.

“Nuk kemi nevojë më të përshkuajmë pak kilometra për të mbërritur tek Liqeni. Gjithshka këtu të jep po atë ndjesi që të jep dhe Parku i Liqenit. Ka pemë, lulishte, shatërvanë, si dhe njerëz të përkushtuar që punojnë vazhdimisht jo vetëm për ta mirëmbajtur, por edhe për të zgjeruar sipërfaqen e gjelbëruar në “Qytetin Studenti”. Fëmijë, nëna të reja, gjyshër dhe gjyshe, çdo ditë frekuentojnë hapësirat në “Qytetin Studenti”, aq sa shpesh na duket se jemi njësuar dhe me vetë studentët. Bashkia e Tiranës ka bërë një punë të shkëlqyer dhe meriton vërtetë vlerësim e mirënjohje”, shprehet Ema, një nënë e re e cila thuajse çdo ditë nxjerr vajzën e saj të shëtisë përreth lulishteve në“Qytetin Studenti”.

 

Edhe nënë Esmaja që shoqëron nipin e saj tek luan në këto hapësira shpreh vlerësimet më maksimale për punën e kryer. “Kam dhjetra vite që banoj përreth “Qytetit Studenti. Ndryshimi është“nata me ditën”. Më vjen mirë jo vetëm për nipin tim që luan në këto mjedisi, por edhe për fytyrat gjithnjë e më shumë qeshura të vetë studentëve. Gëzohem për ta si për fëmijët e mi”, shprehet ajo.

“Qyteti Studenti” magnet edhe për studentët nga Tirana

Arlinda është në vitin e parë ekonomik. Ajo banon në Tiranë. Por së bashku me 2 shoqet e saj, sa herë që ka pushim mes orëve, vijnë në lulishtet e “Qytetit Studenti”, siç shprehet ajo “larg rrëmujës”.

 

“Eshtë një oaz fantastik. Ka lulishte, shikon godina të sistemuara, vepra arti, fëmijë, qytetarë të ndryshëm, të cilët i gëzohen këtyre ditëve të vjeshtës. Vij me dy shoqet e mia, sepse vërtetë më pëlqen. Më vjen mirë që krahas Pazarit të Ri, Kalasë, Sheshit Skënderbej, Parkut të Liqenit, Tirana ka tashmë edhe një pikë tjetër shumë të frekuentuar siç është kthyer “Qyteti Studenti”. Ndryshimet janë të prekshme për çdo njeri që ka ‘sy në ballë”. Kam shumë shoqe studente që banojnë në“Qytetin Studenti”. Ua kam zili. Do doja vërtetë të isha edhe unë pjesë e banorëve të këtij Qyteti, pasi një atmosferë të tillë shumë rrallë e gjen në Tiranë”, shprehet Arlinda.

Studentët: Lali Eri e mbajti fjalën, ka vendosur standard dhe për mbajtjen e premtimeve

Por ndërsa bisedojmë me grupin e vajzave nga Tirana që shijojnë orët në ambientet e “Qytetit Studenti”, pjesë e këtij grupi bëhet edhe Kejsina Perlati, që studion për administrim biznesi dhe është në vitin e parë. Ajo vjen nga fshati Kurdari i Bashkisë Mat. Perlati shprehet se nisur edhe nga protesta e studentëve, kishte një mëdyshje nëse duhej të sistemohej në“Qytetin Studenti”, apo të gjente një shtëpi me qira në Tiranë?

“Por kur erdha realiteti ishte krejt ndryshe nga perceptimi që kisha krijuar.

Rikonstruksioni i godinës 5 ishte shumë mbreslënës, ndërsa kushtet brenda ishin nga më optimalet. Banjo të sistemuara, dushe shumë të mira, krevate, dyshek, gjithshka ishte e re dhe shumë e mirë. Personeli është gjithnjë në gadishmëri për çdo problematikë që kemi. Besoj se shumë pak shoqe të mia që kanë shkuar në shtëpira me qira, mund të kenë kaq kushte të mira. Dhoma ime në“Qytetin Studenti”është shtëpia ime ideale”, shprehet ajo.

Ndërsa Boralda Driza nga Fieri, që është në vitin e 3 tek Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, dega Anglisht, së bashku me Floridona Ademaj nga Kukësi që është në vitin e 2 dega gazetari dhe Andi Çelën nga Lushnja që është në vitin e tretë administrim biznes, tregojnë se kanë qenë pjesë e protestës studentore për ndryshim në universitete dhe kushte më të mira jetese në“Qytetin studenti”. Boralda tregon se kishte pak besim se në “Qytetin Studenti” do të ndodhte ky ndryshim që është sot.

 

“Nuk kemi faj ne për dyshimet. Politikanët shpesh nuk e mbajnë fjalën. Por Lali Eri e mbajti. Të thonë ç’të duan, por unë e duartrokas. Kemi godina të rinovuara nga jashtë e brenda, dhoma të sistemuara, kushte higjieno- sanitare të pakrahasueshme me disa muaj më parë, ambientet jashtë që do na e kishin zili edhe vetë tironsit. Nuk jam kritezere. Kur ndryshimi vjen unë hap krahët për ta rrokur”, shprehet ajo.

Ndërsa Andi duket se ndodhet përpara një sfide pak edhe më të koklavitur. Aq shumëi pëlqen gjithshka që ka ndryshuar në“Qytetin Studenti”, aq sa ai po lobon që të qëndrojë në godinën 6 edhe për masterin.

 

“E di që është e vështirë. Por kanë ndodhur ndryshime që vërtetë të impresionojnë. Jam ngjirur në porotestë. Mendoj se ia vlejti pasi vetëm në 7 muaj ka ndryshuar gjithçka. Tre vite më parë kur erdha thosha si do e shtyj kur shikoja kushtet. Ndërsa tani trishtohem që jam drejt fundit. 30 vitet që s’ishte vënë dorë dhe brenda 3 muajve këto 30 vite përfunduan në kosh”, komenton Andi. Floridona, studentja e gazetarisë, ka një natyrë që edhe për shkak të degës që ka zgjedhur, gjërat t’i shohë me dyshim, sidmos kur është fjala për premtimet.

 

“Më duhet ta pronaj se ndryshimi në“Qytetin Studenti” nuk është fasadë, por thelbi i kërkesave tona në protestat e dhjetorit të rreth 1 viti më parë. Nuk është vetëm një ndryshim për brezin tonë, por edhe vendosja e një standardi edhe për brezat që vijnë. Më duhet të pranoj se Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj e mbajti fjalën. Ky është edhe një standard i ri dhe në politikë që premtimet duhen mbatjur”, thotë ajo.

“Heronjtë e pa fjalë” të “Qytetit Studenti”, që flasin nëpërmjet punës
Ndërsa largohesh nga “Qyteti studenti” dhe tek vështron dhjetra njerëz që kujdesen çdo çast që jeta e studentëve të jetë sa më e mirë dhe me sa më shumë komoditet, ndjen vërtetë mirënjohje për punën e tyre, e cila nuk ndodh shpesh të vlerësohet. Dhjetra luleshtarë, pastrues godinash e ambientesh përreth, punëtorë të sektorëve të ndryshëm, kujdestarë e drejtues të“Qytetit Studenti” me durim kanë mundur të hapin një epokë të re për “Qytetin Studenti”, duke evidentuar faktin se Bashkia e Tiranës, me fakte dhe jo me fjalë, brenda 7 muajsh bëri ndryshimin e 3 dekadave.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA